Khabib Nurmagomedov dhe Tony Ferguson kanë zhvilluar takimin e parë ballë për ballë, për të promovuar sfidën e tyre, e cila do të zhvillohet më 18 prill, në Bruklin të Nju Jorkut.
Dy sportistët më të mirë të peshës së lehtë kanë qenë në Las Vegas, ku zhvilluan një konferencë për shtyp.
Konferenca ishte shumë e tensionuar, me akuza të ndërsjella, që më pas u përsëritën edhe në momentin që dy sportistët dolën “ballë për ballë”. Khabib mbante gjerdanin e titullit kampion, që do ta mbrojë ndaj Ferguson.
Edhe Ferguson doli me një gjerdan, atë të titullit të përkohshëm të fituar dy vite më parë, që më pas iu hoq për shkak të dëmtimit. Por Khabib tha se ai është kampioni i vërtetë dhe i vërtetë është vetëm gjerdani i tij.
Ndaj rusi shtyu me këmbë gjerdanin e amerikanit, duke bërë që situata të tensionohet. Mes dy sportistëve ishte presidenti i UFC-së, Dana White, që i ndau ata nga një sherr i mundshëm.