Pas arrestimit të pilotit kroat dhe të dashurës së tij serbe nën dyshimet për spiunazh, nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë thënë se i marrin me seriozitet këto pretendime, dhe se ntegriteti i informacionit të klasifikuar janë parësore.
“Ne i marrim këto pretendime shumë seriozisht. Siguria e personelit të KFOR-it dhe integriteti i informacionit të klasifikuar janë parësore. Ne ju referojmë te autoritetet kroate për çdo koment lidhur me arrestimin dhe hetimet që po vazhdojnë”, kanë deklaruar nga KFOR-i.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se e arrestuara nga autoritetet kroate nën dyshimet për spiunazh për Serbinë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale nga Zyra e Kryeministrit. Qeveria ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim me ato të Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit.
Ndryshe, Prokuroria e Qarkut në Split njoftoi më 28 gusht se pas pranimit të kallëzimit penal nga Sektori i Pavarur për çështje të policisë ushtarake një ditë më herët, ka ndërmarrë veprimet e para hetimore dhe ka nxjerrë vendim për fillimin e hetimeve kundër një shtetasi të Republikës së Kroacisë për veprën penale të spiunazhit, dhe kundër një shtetaseje të Republikës së Serbisë për të njëjtën vepër penale.
Po ashtu, “me vendim të Prokurorisë së Qarkut në Split është caktuar fshehtësia e tërë e hetimit, me arsyetimin se publikimi i të dhënave nga procedura mund të dëmtojë zhvillimin e hetimeve”.
Sipas medias kroate, Index, piloti kroat J.I. dhe e dashura e tij, A.M. serbe nga Mitrovica e Veriut, dyshohen se kanë spiunuar për Serbinë. Është raportuar se ajo kishte punuar në Misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit, EULEX.
Sipas Index-it, që u thirr në burime, dyshohet se piloti kroat, i angazhuar në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij, të cilat ajo më pas ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe. /RTK