KFOR-i me shumë operacione, stërvitje, testime e trajnime ndërkohë që zyrtarë të NATO-s po vijnë në Kosovë - Gazeta Express
string(104) "kfor-i-me-shume-operacione-stervitje-testime-e-trajnime-nderkohe-qe-zyrtare-te-nato-s-po-vijne-ne-kosove"

Lajme

Gazeta Express

28/08/2024 15:19

KFOR-i me shumë operacione, stërvitje, testime e trajnime ndërkohë që zyrtarë të NATO-s po vijnë në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

28/08/2024 15:19

Operacione, stërvitje, testime e trajnime të ndryshme zhvilloi KFOR-i në pak ditë. Misioni paqeruajtës i NATO-s e ka rritur ndjeshëm angazhimin këto ditë me shumë aktivitete të kësaj natyre. Të premten trupat e KFOR-it zhvilluan patriullim tokësor përreth kufirit me Serbinë, ndërsa të nesërmen pati një patrullim ajror me helikopter. Misioni ushtarak në Kosovë u angazhua dje edhe për ta nivelizuar tokën “për aeroportin ushtarak në Prishtinë”, duke thënë se kjo “do të ndihmojë për ta mbrojtur sigurinë e operacioneve ajrore”. Pas shefit të CIA, në Kosovë këto ditë po vijnë edhe zyrtarë të NATO-s.

Gazeta Express

Pas paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës se ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë do të hapet, KFOR-i këtë muaj e rriti praninë në dhe përreth saj duke paralajmëruar se nuk do të hezitojë të përballet me çfarëdo zhvillimi që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal.

Ka disa muaj që ndërkombëtarët po përpiqen t’ia mbushin mendjen kryeministrit Albin Kurti që ura të mos hapet në këtë kohë, duke paralajmëruar “rrezik të njëmendtë” për “dhunë dhe probleme tjera”.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë për një javë ka zhvilluar një sërë aktivitetesh: operacione, patrullim tokësor e ajror përreth kufirit me Serbinë, stërvitje, ushtrime të gjuajtjes, testime të ndryshme e trajnime për helikopterë dhe për mbështetje mjekësore në operacione. Në vetëm dy ditë (23-24 gusht), trupat e KFOR-it zhvilluan gjashtë prej këtyre aktiviteteve.

KFOR-i njoftoi të premten e 23 gushtit se ushtarë amerikanë dhe gjermanë kishin zhvilluar trajnime për të testuar “procedura të ndryshme të mbështetjes mjekësore ndaj operacioneve”. Kjo u tha se ishte “një pjesë e aktiviteteve të rregullta të realizuara për ta ruajtur shkallën më të lartë të gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet kontingjenteve të ndryshme të dislokuara me KFOR-in”.

Dhjetë minuta pas kësaj, KFOR-i njoftonte për një patrullim tokësor përgjatë vijës kufitare. Edhe në këtë rast, misioni i NATO-s tha se aktivitetet ishin “pjesë e përpjekjeve të përditshme të KFOR-it për të garantuar siguri të qëndrueshme për të gjitha komunitetet lokale që jetojnë në Kosovë dhe për ta mbështetur stabilitetin rajonal”.

Saktësisht 40 minuta më pas, KFOR-i njoftonte edhe se ushtarë letonezë kishin marrë pjesë në një “trajnim me ngarkesë të nxehtë/të ftohtë në Kampin Novosellë”. Misioni tha se ata “u trajnuan për procedurat e sigurisë së helikopterit për ngarkim në rast emergjence”.

Trajnim për procedurat e sigurisë së helikopterit për ngarkim në rast emergjence, 23 gusht 2024 | Foto: KFOR

Të nesërmen, KFOR-i njoftoi se Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e misionit të NATO-s zhvilloi “një stërvitje me gjuajtje të drejtpërdrejtë në Prishtinë”. Kjo pjesë e trajnimit të rregullt, KFOR-i tha se “është zhvilluar nga personeli i KFOR-it për testimin e procedurave dhe mbajtjen e standardeve më të larta të efektivitetit operacional”.

Rreth një orë më pas, pasoi një tjetër njoftim nga KFOR-i: Anëtarët e Komisionit të Përbashkët të Zbatimit të Komandës Rajonale Lindje të misionit të NATO-s kishin zhvilluar një “patrullim ajror” për “ta monitoruar situatën” përgjatë kufirit me Serbinë. Këto aktivitete, u tha se do të ndihmonin “në promovimin e sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet lokale dhe konsolidimin e stabilitetit rajonal”.

Patrullimi me helikopter, 24 gusht 2024 | Foto: KFOR

Aktivitetet e ngjashme, KFOR-i i vazhdoi edhe dje. Njësia e Specializuar Shumëkombëshe dhe instruktorët nga Batalioni i Rezervës Taktike të KFOR-it hungarez zhvilluan një stërvitje “zjarrfobie” në Kampin Novosellë, me personel të karabinierëve italianë, të Policisë “Volenska” të Çekisë dhe personel ushtarak nga Inspektorati i Përgjithshëm i karabinierëve nga Moldavia.

Më pak se tri orë pas kësaj, KFOR-i njoftoi të martën edhe për përfundimin e një operacioni 24-orësh që e kishte zhvilluar Batalioni Kinetik i Komandës Rajonale Perëndim. KFOR-i tha se “personeli kroat dhe italian kryen një sërë aktivitetesh” përgjatë vijës kufitare. Operacioni, u tha se “paraqiste vendosjen e një posti komandeje taktike”.

Një tjetër njoftim nga KFOR-i do të vinte rreth një orë më pas. Këtë herë njoftohej se Togu i Inxhinierisë Finlandeze i caktuar për Komandën Rajonale Lindje kishte përfunduar një projekt për ta nivelizuar tokën “për aeroportin ushtarak në Prishtinë”.

KFOR-i nivelizon tokën “për aeroportin ushtarak në Prishtinë”, 27 gusht 2024 | Foto: KFOR

“Kjo do të ndihmojë për ta mbrojtur sigurinë e operacioneve ajrore”, njoftoi misioni paqeruajtës i NATO-s.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR po merr pjesë edhe në stërvitjen e udhëhequr nga Forcat e Bashkimit Europian (EUFOR) në Bosnjë e Hercegovinë të quajtur “Quick Response 2024”.

Shefi i CIA e zyrtarë të NATO-s në Kosovë, diskutohet çështja e hapjes së urës mbi Ibër

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA) William Burns qëndroi javën e kaluar në rajon dhe nga fundi i saj erdhi edhe në Kosovë. U takua me presidenten Vjosa Osmani të enjten dhe të nesërmen i shkoi kryeministrit Albin Kurti për një takim në Qeveri.

Admirali Stuart Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, ishte në Kosovë të martën dhe u takua me Kurtin.

Në një mbledhje të Qeverisë sot, kryeministri, duke i përmendur këto dy vizita dhe duke paralajmëruar një vizitë të nesërme të Thomas Goffus, Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, tha se në këto takime “natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë”, për të cilën tha se janë “duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme”.

“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.

Nuk dihet nëse Qeveria është bindur që të mos ndërmarrë veprime tjera pas konstatimit fillestar se ura është “qëndrushme dhe funksionale”.

Kurti sot nuk paralajmëroi veprime e as nuk dha ndonjë datë për hapjen e saj, përveçse përmendi “konsultimet e nevojshme”.

Ambasadori amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier ka thënë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikonte në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka thënë Hovenier në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 13 gusht, duke shtuar se shpresojnë që “Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian Peter Stano e ka paralajmëruar Kosovën se rrezikon të mbetet “e vetme dhe mbrapa” nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët.

“Ne nuk kemi asgjë për të thënë për këtë temë të rihapjes së urës. Vetëm mund të rikujtoj për të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës [BE, SHBA, NATO dhe Mbretëria e Bashkuar] kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa”, tha Stano në një deklarim më 16 gusht.

Qëndrimi i ndërkombëtarëve dhe KFOR-it është konstant se çështja e hapjes së urës mbi Ibër duhet të diskutohet në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.