Kevin De Bruyne raportohet se i ka ofruar vetes një klubi të madh europian dhe është i gatshëm të pranojë ulje page për të përfunduar një transferim këtë verë.
Mesfushori belg pritet të largohet nga Manchester City në fund të sezonit, kur i skadon kontrata.
Disa klube janë lidhur me De Bruyne, përfshirë edhe një klub anglez surprizë që do të trondiste Premier League.
Edhe klube nga jashtë Anglisë po ndjekin me vëmendje 33-vjeçarin, me Napolin që besohet se është i interesuar për ta marrë atë.
Megjithatë, preferenca e tij është të qëndrojë në Evropë, pavarësisht interesimit nga skuadra amerikane Chicago Fire që luan në MLS.
Sipas të përditshmes spanjolle Defensa Central, De Bruyne ka vënë në shënjestër një transferim të bujshëm te Real Madrid, dhe është i përgatitur të pranojë një ulje rroge për ta bërë të mundur kalimin në Spanjë.
Sipas raportit, ai është gati të reduktojë pagën për të kaluar te Real Madridi si lojtar i lirë, pa pagesë transferimi.
Real Madrid ka një histori të transferimeve të lira të bujshme, përfshirë yje si Kylian Mbappe, Antonio Rudiger dhe David Alaba, të cilët iu bashkuan klubit pa asnjë tarifë transferimi.
Trent Alexander-Arnold gjithashtu pritet t’i bashkohet Realit këtë verë si lojtar i lirë, ndërsa De Bruyne synon ta ndjekë atë drejt kryeqytetit spanjoll.
Thuhet se drejtuesit e Real Madridit kanë reaguar pozitivisht ndaj ofertës së mesfushorit belg, pavarësisht politikës së tyre për të investuar në lojtarë të rinj.
De Bruyne nuk ka luajtur kurrë më parë në La Liga, por ai insiston se ende mund të performojë në nivelet më të larta, pavarësisht problemeve të tij me dëmtimet.
“Unë e di që më ka mbetur vetëm edhe një ndeshje në shtëpi, por unë përpiqem të bëj punën time dhe këtë bëra edhe sot,” tha ai pas fitores 1-0 të City ndaj Wolves këtë muaj. “Shumë nga shokët e skuadrës më kanë thënë se është për të ardhur keq që duhet të largohem, por kështu ndodh ndonjëherë në jetë. Nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja, por e di që ende mund të luaj në këtë nivel.”
I pyetur nëse De Bruyne mund të qëndrojë ende në Etihad, Pep Guardiola u përgjigj:
“Unë dua më të mirën për Kevinin, sepse është e pamundur të kemi arritur kaq shumë pa të. Ai ka qenë një lojtar i jashtëzakonshëm, por situata është ajo që është.
Është pothuajse e pamundur të zëvendësosh një lojtar të këtij kalibri. Nuk është vetëm për performancën, por edhe për atë që ai përfaqëson në zemrat e tifozëve tanë ndër vite. Suksesi që kemi arritur u përket lojtarëve.”
De Bruyne i është bashkuar Manchester Cityt në verën e vitit 2015. Por aventura e tij legjendare me “Qytetarët” do të përfundojë në mbyllje të sezonit 2024/25. /GazetaExpress/