Sipas sistematizimit të ri, Stacioni i Policisë në Draçevë, në Autokomandë, në Gjorçe Petrov, në Karposh, në Çair (Butel), në Kumanovë, në Kërçovë, në Manastir dhe në Ohër, rrezikojnë të mbeten pa drejtues shqiptarë! Zëvendësministri Iseni në rrjetet sociale ka garantuar se në çdo model të ri organizativ, shqiptarët do të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe në disa segmente, si thotë, edhe më mirë se më herët.
Shkup, 24 mars – Riorganizimi i ri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili buron nga Ligji i ri për Policinë dhe Ligji i ri për MPB-në, pritet të ndikojë drejtpërdrejt në strukturën drejtuese të policisë, duke rrezikuar përfaqësimin e shqiptarëve në një sërë stacionesh dhe sektorësh kyç. Sipas informatave nga brenda MPB-së, Stacioni i Policisë në Draçevë, në Autokomandë, në Gjorçe Petrov, në Karposh, në Çair (Butel), në Kumanovë, në Kërçovë, në Manastir dhe në Ohër, rrezikojnë të mbeten pa drejtues shqiptarë. Sistematizimi i ri i policisë nuk i parasheh pozitat e “zëvendës-shefit”, çka nënkupton se këto njësi policore mund të mbeten vetëm me komandantë maqedonas, duke qenë se aktualisht zëvendësit janë shqiptarë, shkruan gazeta KOHA.
Përveç këtyre nëntë stacioneve, përfaqësimi shqiptar mund të zbehet edhe në tetë stacionet policore kufitare, konkretisht në ato për mbikëqyrje të vijës kufitare dhe pikëkalime kufitare. Në Policinë Kufitare – Rajoni i Veriut aktualisht ka tetë zëvendës-shefa shqiptarë, ndërsa me sistematizimin e ri ekziston mundësia që të mos mbetet asnjë. Bëhet fjalë për stacionet në Sopot, në Tabanoc, në Tanushë, në Bllacë e Sipërme, në Jazhincë, në Rrogaqevë, në Mazdraq dhe në Aeroportin e Shkupit, ku aktualisht zëvendës-shefat e policisë janë shqiptarë.
Ndryshimet mund të prekin edhe nivele më të larta të drejtimit, pasi me sistematizimin e ri rrezikohet të hiqet edhe pozita e zëvendës-kryeshefit të Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, një post i rëndësishëm për hartimin dhe zbatimin e politikave policore. Për pasojë, pritet të preken edhe një sërë pozicionesh në Policinë e Komunikacionit Rrugor. Shfuqizimin e të gjitha pozitave të zëvendësve dhe ndihmës-kryeshefave në të gjitha sektorët e konfirmoi dje ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ai theksoi se këto ndryshime janë rezultat i reformave ligjore në MPB.
“Mendoj se numri i strukturës drejtuese në MPB do të ulet për diku 37-38%. Kjo do të thotë se më nuk do të kemi një numër shumë të madh të ndihmësve, zëvendësve, nën-kryeshefa, afër-kryeshefa, e kështu me radhë, të definuar paraprakisht. Dhe nuk do të kemi funksione vetëm për të pasur funksione, por do të ketë funksione që përveç të drejtave dhe benefiteve do të kenë edhe përgjegjësi konkrete për veprimet që sipas ligjeve do t’i kenë, veçanërisht kryeshefat”, deklaroi Toshkovski.
Ky riorganizim, megjithëse prezantohet si pjesë e reformës për efikasitet institucional, ka ngritur shqetësime për balancën etnike në strukturat e sigurisë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në nivelet drejtuese të policisë. Opozita reagon se po pastrohet policia nga shqiptarët, ndërkohë që akuzojnë krerët e VLEN-it për kthim të situatës para 2001-shit në policinë e vendit, raporton KOHA.
Megjithatë, Astrit Iseni, zëvendësministër i Policisë, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ka thënë se ruajtja e përfaqësimit të drejtë është parim i pandryshueshëm i MPB-së. Madje, ai shprehet se jo vetëm që do të mbetet, por do të avancohet sipas standardeve si institucion dhe si shtet. “Garantoj se në çdo model të ri organizativ shqiptarët do të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe në disa segmente edhe më mirë se më herët. Askush nuk do të lejojë nënçmim të ndonjë qyteti, rajoni apo bashkësie etnike. Mbetet e pakuptueshme pse disa struktura politike, në vend se të kontribuojnë me fakte dhe propozime serioze, vazhdojnë të shpërndajnë panik dhe të përhapin informacione të pavërteta që i dëmtojnë qytetarët dhe krijojnë tensione të panevojshme”.
Proceset e brendshme në MPB, ka vijuar më tej ai, zhvillohen në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi. “Çdo vendim merret pas konsultimeve të nevojshme profesionale dhe gjithmonë me prioritet interesin e qytetarëve dhe funksionimin efikas të institucionit. Nuk ka asnjë arsye për shqetësim dhe asnjë hap që cenon përfaqësimin. Përkundrazi, qëllimi ynë është që shërbimet në çdo njësi të jenë funksionale, të balancuara dhe më afër qytetarëve”. (koha.mk)
tag_katrorimaqedoni_2
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...