Këshilltarët e BDI-së dhe ASh-së së bashku me Më Mirë për Tetovën akuzojnë për privatizim të ujit, komuna i quan manipulatorë - Gazeta Express
string(124) "keshilltaret-e-bdi-se-dhe-ash-se-se-bashku-me-me-mire-per-tetoven-akuzojne-per-privatizim-te-ujit-komuna-i-quan-manipulatore"

Maqedoni

Gazeta Express

28/03/2026 12:19

Këshilltarët e BDI-së dhe ASh-së së bashku me Më Mirë për Tetovën akuzojnë për privatizim të ujit, komuna i quan manipulatorë

Maqedoni

Gazeta Express

28/03/2026 12:19

Debati për ujëmatësit në Tetovë është tensionuar ndjeshëm, pasi Bashkimi Demokratik për Integrim dhe nisma Më Mirë për Tetovën akuzojnë komunën për hapa drejt privatizimit të këtij shërbimi jetik, ndërsa autoritetet lokale i hedhin poshtë këto pretendime si manipulime politike. Çështja e vendosjes së ujëmatësve dhe përfshirjes së sektorit privat ka hapur një debat më të gjerë mbi kontrollin publik, transparencën dhe përgjegjësinë në menaxhimin e ujit, duke ngritur shqetësime tek qytetarët për ndikimin që këto ndryshime mund të kenë në faturat që ata do t’i paguajnë, përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk.

Këshilltari komunal nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Berat Murati thotë se debati i fundit për vendosjen e ujëmatësve dhe përfshirjen e sektorit privat e ka zhvendosur fokusin nga zgjidhja reale drejt një modeli që ngre më shumë dyshime sesa besim.

Ai thotë se Tetova për vite me radhë përballet me mungesë uji, restrikcione dhe defekte të vazhdueshme në rrjet, ndërsa dhe vetë komuna pranon se sistemi aktual nuk jep të dhëna të sakta për humbjet dhe konsumin, kryesisht për shkak të mungesës së ujëmatësve, ku kjo është dështim i menaxhimit publik ndër vite, jo justifikim për të kaluar përgjegjësinë te privati.

“Argumenti i pozitës është i thjeshtë: nuk po privatizohet uji, por vetëm shërbimi. Flitet për partneritet publiko-privat që do të merret me matjen, faturimin dhe inkasimin. Sipas tyre, kjo do të rrisë efikasitetin dhe do të ndëshkojë abuzuesit, ndërsa qytetarët e rregullt mund të paguajnë më pak Por këtu qëndron problemi thelbësor. Në praktikë, kjo nuk është thjesht “teknologji”. Është dorëzim i një segmenti kyç të kontrollit publik. Kur një kompani private merr në dorë matjen dhe faturimin, ajo merr edhe instrumentin më të fortë të ndikimit mbi qytetarin: çmimin dhe aksesin”, tha Murati.

Ai tha se vendosja e ujëmatësve në vetvete është e domosdoshme dhe askush nuk e konteston këtë.

“Nuk mund të ketë sistem të drejtë pa matje reale. Por pyetja nuk është a duhen ujëmatës, por kush i kontrollon ata. Nëse qytetari paguan instalimin, paguan faturën dhe pastaj përballet me një operator privat që vendos penalitete, atëherë kemi një transformim të raportit publik në raport tregu”, tha Murati.

Kritika për këtë çështje kanë edhe nga nisma ‘Më Mirë për Tetovën’, të cilët duke iu referuar pyetësorit konsultativ në lidhje me fizibilitetin e transformimit digjital të sistemit të matjes së ujit, thonë se Komuna e Tetovës edhe pse e ka ndarë mendjen edhe për një ‘EVN’ për ujin, pse bën një vendim sa për sy e faqe.

“Prandaj disa pyetje do i parashtrojmë edhe publikisht dhe përgjigjet që do i marrim gjithashtu. Kush është kompania që e ka bë studimin e fizibilitetit? (Të dhënat nga Regjistri Qendror. Kush janë personat që kanë përpiluar këtë studim? Kush e ka kërkuar këtë studim? Sa ka kushtuar studimi i fizibilitetit”, thonë nga MMPT.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe këshilltari komunal nga Aleanca për Shqiptarët, Arlind Murtezani.

Ai thotë se debati për “privatizimin e ujit”, që po zhvillohet këto ditë, duke e njohur mirë realitetin tonë politik, me shumë gjasë do të zgjasë derisa të gjithë të lodhen… dhe zakonisht pikërisht atëherë merren vendimet.

“Ne, si qytetarë, kemi kujtesë dhe përvojë të hidhur: nga energjia me EVN, te menaxhimi i mbeturinave me Saubermacher dhe deri te projekti i ndriçimit publik – gjithmonë na është thënë se do të bëhet më mirë… dhe pothuajse gjithmonë ka pasur diçka që nuk ka dalë siç është premtuar. Rezultati ka qenë i njëjtë: qytetarët paguajnë më shumë, ndërsa kontrolli publik zvogëlohet. Prandaj, për mua thelbi nuk është te emërtimi i modelit, por te përmbajtja e tij”, tha Murtezani.

Ai theksoi se kur kjo çështje të vijë për votim në Këshill, nuk duhet të kenë më dilema “a është mirë apo keq”, por të kenë më pak pyetje dhe më shumë përgjigje konkrete, që ta dimë saktësisht çfarë po votojmë dhe kujt po ia besojnë.

Komuna e Tetovës përmes një pyetësori konsultativ në lidhje me fizibilitetin e transformimit digjital të sistemit të matjes së ujit, i ka ftuar qytetarët të ndajnë mendimet e tyre.

Ditë më parë nga Komuna e Tetovës reaguan duke i quajtur manipulime deklaratat nga BDI dhe Më Mirë për Tetovën.

“Projekti i digjitalizimit nuk është koncesion i ujit, por fundi i epokës ku qytetarët e ndershëm paguanin faturat e atyre që keqpërdorin apo vjedhin ujin. E vërteta është e thjeshtë: Uji i Tetovës mbetet i tetovarëve. Ajo që po “japim” është fundi i mospagesës dhe fundi i kyçjeve ilegale. Pretendimi se “barra do të bjerë mbi qytetarët” është cinizëm kulminant. Barrën e vërtetë qytetarët po e mbajnë tani, duke paguar për një sistem ku 70% e ujit humbet, keqpërdoret ose vidhet për shkak të matësve të vjetruar dhe neglizhencës dekadente”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Kujtojmë se ditë më parë, debati publik mbi studimin e fizibilitetit për shërbimet e ujit në Tetovë ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët, opozita dhe shoqëria civile të cilët alarmojnë se me këtë paralajmërohet privatizimi i ndërmarrjes për ujësjellës dhe kanalizim. Ndërkaq sipas Komunës së Tetovës, nuk do të privatizohet uji por planifikohet të shkohet në partneritet publiko-privat për instalimin e ujëmatësve, matjen dhe inkasimin e pagesave.

Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.

Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.

Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.

Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.

Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit vazhdon të premtojë rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Advertisement
Advertisement
Advertisement