‘Këshillat’ e opozitës që Kurti s’i pranon, fjalosja me Konjufcën – krejt çka ndodhi sot në Kuvend - Gazeta Express
string(92) "keshillat-e-opozites-qe-kurti-si-pranon-fjalosja-me-konjufcen-krejt-cka-ndodhi-sot-ne-kuvend"

Lajme

Gazeta Express

15/09/2022 18:11

‘Këshillat’ e opozitës që Kurti s’i pranon, fjalosja me Konjufcën – krejt çka ndodhi sot në Kuvend

Lajme

Gazeta Express

15/09/2022 18:11

Deputetët e kthyer në Kuvend, folën sot se si të kthehen edhe fëmijët në shkolla. Të VV-së akuzonin sindikalistët dhe opozitën për situatën e krijuar. Sipas opozitarëve, Kurti po e thellon krizën. Vëmendjen në fillimin e sesioni vjeshtor, e mori pozicionimi i ri i deputetes Doarsa Kica, në rendin e parë të LDK-së.  Kryengjarja e kësaj seance, padyshim, ishte një diskutim i nxehtë mes Kryeministrit Kurti dhe Kryeparlamentarit Konjufca.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Debati për grevën e arsimtarëve dhe konfliktin e përshkallëzuar mes Qeverisë dhe sindikatave, ka kaluar në Kuvend, me rastin e kthimit në punë të deputetëve.

Deputetët e shumicës kërkonin që mësimi të niste menjëherë, duke e konsideruar të paarsyeshme rezistencën e sindikatave të arsimit, pas prezantimit të ndihmave për qytetarët, nga Kryeministri Albin Kurti.

Armend Muja foli në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Fjalën e tij e nisi, duke treguar se ka një djalë në moshë për të shkuar në klasë të parë, që s’po mund të shkojë në shkollë. 

“Është evidente, fëmijët e Kosovës janë vënë pre e negociatave për 50 euro e 100 euro. Shkollimi i tyre është e drejtë kushtetuese”, tha Muja.

Propozimet e PDK-së “për të dalë” nga kriza

Nga PDK-ja, fillimisht mori fjalën kryetari i partisë, deputeti Memli Krasniqi, për t’u deklaruar rreth krizave të njëpasnjëshme, për të cilat, ai e sheh fajtor Kryeministrin Kurti.

Opozita i bën kohë pas kohe propozime Qeverisë, me të cilat, opozitarët besojnë se e ndihmojnë vendin për të dalë nga një krizë a një tjetër. Edhe Krasniqi ia bëri sot Qeverisë pesë propozime për ta zbutur krizën ekonomike.

“Ne kërkojmë nga qeveria ta pranoje faktin që në Kosovë ka krizë ekonomike dhe të shfrytëzojë instrumentet në dispozicion për t’i ndihmuar qytetarët ta përballojnë krizën. Kërkojmë t’i marrë 5 masa: Të lirohen nga TVSH-ja të gjitha produktet esenciale, të lirohen nga akciza produktet e naftës, të lirohet energjia elektrike nga TVSH-ja dhe të subvencionohen 25 për qind faturat e energjisë, të rriten pagat për aq sa është norma e inflacionit dhe të lejohet tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga trusti”, tha ai.

Abdixhiku-Kurtit: Njerëzit që flasin për rrëzim të Qeverisë janë te ti në Kabinet

Edhe nga LDK-ja foli për së pari herë kryetari i partisë, deputeti Lumir Abdixhiku.

Ai sheh Kurtin përgjegjës për krizat në vend.

Abdixhiku tha se kryeministri po e ushqen grevën me polarizime në shoqëri, ndërsa atij i kërkoi të bënte dialog social edhe me ata që s’pajtohet “e sidomos me ata që s’pajtohet”.

Sipas Abdixhikut, Kryeministri është paranojak që beson se të tjerët po e luftojnë si “argatë të Serbisë”, ose po bëjnë plan për ta rrëzuar.

“Dy vitet e para i ke kaluar më 14 shkurt, e dy të tjera me frikën që po rrëzohesh. Në fakt njerëzit e vetëm që flasin për rrëzimin e Qeverisë janë te ti në kabinet”, tha Abdixhiku.

Përplasja e ministrit Hekuran Murati dhe Memli Krasniqit për kriptovaluta

Ministri i Financave i replikoi Krasniqit të PDK-së për krizën ekonomike, duke i përmendur kriptovalutat, pasi kryetari i PDK-së deklaron çdo vit investimet e tij në disa prej valutave kripto. 

“Kemi nda shtesa për pensionistë studente e familjet në asistencë sociale. Hiq më larg se dje kemi ndarë 18 milionë për bujqësinë. Çka nuk mund të kompensojmë janë humbjet në kriptovaluta. Nëse dikujt i është vështirësuar gjendja financiare për shkak të humbjeve në kriptovaluata kërkojmë falje por nuk mund t’i kompensojmë”, tha ministri Murati.

Iu kundërpërgjigj Krasniqi, që tha se është ekspert i kriptovalutave. Ai pyeti Muratin pse nuk po i deklaron, duke pretenduar se ministri dhe “shokët e tij” kanë të investuara para në kriptovaluta.

“Ti po më flet mua për fermerë, kur e ke taku që 1 vjet e gjysmë një fermer. Po ti s’din gjë për atë farë teme. 18 milionë… mos fol përmendsh. Ti e ke qeverinë e milionerëve, të gjithë këtu jeni milionerë. Unë jam ekspert i kriptovalutave dhe po unë jam i pari që i kam deklaruar po pse s’po i deklaron ti, krejt shokët e tu thonë që ke kriptovaluta, pse s’po i deklaron?”, ka thënë Krasniqi.

Dyshimet e Bekim Haxhiut se ministri i Shëndetësisë ka udhëtuar për në Amerikë

Deputeti Bekim Haxhiu, i njohur në publik me nofkën e luftës “Kamishi” çoi diskutimin në fushën që atij i intereson më shumë; shëndetësisë.

Deputeti i PDK-së pati pyetje për ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin, por ai s’ishte aty. Haxhiu ia lexoi pyetjen Kurtit, i cili ka formuar një Komision Ekzekutiv për Shëndetësi dhe e ka bërë vetën kryesues.

“Po më duket se pasi ka marrë kryeministri kompetencat Rifat Latifit, ai ka ikë për Amerikë. Apo ndoshta është në një aktivitet tjetër më të rëndësishëm se ky. Pyetjen po e lexoj nëse kryetari i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, z. Albin Kurti, ka dëshirë e mund të përgjigjet”, tha Haxhiu.

Deputeti tha se i duket që ministri Latifi ka udhëtuar për në SHBA, pasi, sipas tij, Kryeministri ia mori kompetencat.

Forca bashkon deputetët e polarizuar

Në seancën e sotme janë votuar edhe tri ndryshime dhe plotësime të tri projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Për të trija, pro votuan 74-49 deputetë.

Mocioni i Tahirit, mollë sherri mes Konjufcës dhe Kurtit?

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kërkoi që të votohej një mocion, ku propozohej që debati për grevat në arsim të niste menjëherë, në mënyrë që të lirohej salla e Kuvendit për një aktivitet të NDI’së, që ishtë planifikuar të mbahej në sallën e Kuvendit të Kosovës, nga ora 16:00.

Zakonisht, mocionet e tilla që lidhen me rend të ditës kalojnë pa u bërë të mëdha. Por sot kjo u lidh me një diskutim mes Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit, pamjet e të cilit u bënë kryelajm i seancës së sotme.

Diskutimi që nga lëvizjet e Kurtit dhe Konjufcës dukej se kishte mosmarrëveshje për diçka mes tyre, nisi pak më vonë pasi Konjufca votoi pro mocionit të propozuar nga opozita.

Në debatin ku zëri s’dëgjohej ishte përfshirë edhe zënvendëskryeministri Besnik Bislimi, sjelljet e të cilit dukeshin të sinkronizuara me të Kryeministrit Kurti. Të dy i drejtoheshin Konjufcës.

Madje, për votën e Konjufcës, bëri shaka Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Abren Gashi, i cili e ftoi Kryeparlamentarin t’i bashkohet partisë së tij.

“Shih-shih, çka është kjo tradhti more kështu. Glauk, t’kanë tradhtu, hajde në LDK, qu del këndej, çu del në LDK se krejt po dalin”, ishin fjalët e Gashit drejtuar Konjufcës.

Debati për grevën e Rrahman Jasharajn

Të tri partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja i kërkuan Kryeministrit Kurti që të takohej me kryesindikalistët dhe të zhvillonte negociata me ta derisa të arrihet një zgjidhje që i kthen fëmijët në shkolla.

“Po të kërkoj ta zgjidhesh nyjën pjesë e se cilës je bërë edhe ti. Sa ke qenë në opozitë ke qenë aleat i sindikatave. Mënyra se si ju je qasur trajtimit të kërkesave të tyre ka qenë e gabuar prandaj ndodhemi në këtë situatë”, tha Memli Krasniqi nga PDK-ja.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i kërkoi Kurtit që të vazhdonte dialogun me kryesindikalistin Rrahman Jasharaj, për të cilin përmendi video që po i publikohen Kurtit, të cilit kryeministri i tanishëm, si opozitar, i ofronte përkrahje.

“E pritem me padurim takimin tuaj me SBASHK-un, por ajo çka pamë ishte që ju kryeministër u kishit raportuar për vendime që SBASHK-u tashmë i dinte. Ne nuk po i përkrahim grevat, por kërkesat legjitime të mësimdhënësve. Sepse sipas Bankës Botërore kemi inflacion 19 për qind dhe me kërkesën prej 100 eurosh kjo është në proporcion madje kërkesë më e vogël krahasuar inflacionin. Ne i përkrahin kërkesat”, ka thënë Bajrami.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se Qeveria e ka sjellë krizën. Sipas tij, ajo po e polarizon masën, duke e ndarë në “kush është me ne dhe kush është me Rrahman Jasharajn”.

“Na vyen një kryeministër që ulet e merr vendim e ofron alternativë e jo t’i komentojë fjalët në takim se a i është thënë vëlla a çka. Qeveria jonë përveç që nuk e mban popullin unik, i linçon ata. Ne i kemi sot fëmijët në shtëpi dhe nuk kemi vendimmarrje për këtë temë. Po flitet për egon e kryeministrit, ky nuk e ka për ego as për inate, e ka për qëllim politik me e përça sindikatën e për kapje te saj siç ka bërë me borde”.

Kryeministri Kurti pati një përgjigje për akuzat e opozitës se po mban inate me kryesindikalistin Jasharaj e s’po dialogon me sindikatat. 

“Me përfaqësuesit e udhëheqësit e sindikatave kemi pasur takime, s’ka munguar dialogu social. Janë zhvilluar mbi 30 takime. Me krerët e SBASHK-ut takohet ministrja e Arsimit, me krerët e BSPK-së takohem unë”, tha Kurti, i cili ka takuar kreun e SBASHK-ut, Jasharajn, këtë javë, pas një rezistence të gjatë.

“Nuk është problemi te mungesa e komunikimit, arrogancës apo inatit. Por kemi një mospajtim themelor. Nuk mund të thuhet që ne i mirëmbajmë në mënyrë demokratike financat shtetërore nëse një grupi të caktuar ua plotësojmë kërkesën. Mbështetje për inflacion po, por shantazh i dua kaq para deri në ligjin e pagave nuk shkon”, tha tutje Kurti.

Ndonëse u kritikua nga opozita se “përqeshi” Jasharajn, duke thënë se në takimin mes tij dhe sindikalistëve ai i është drejtuar me “na ndihmo si vëlla”, Kurti këtë e përsëriti edhe njëherë në Kuvend.

“Nuk kam inat as urrejtje ndaj asnjë sindikalisti. Nuk është e vërtetë që unë me SBASHK-un kemi pasur marrëveshje më herët apo jemi përkrahur. Në qershor 2017 para zgjedhjeve, SBASHK-u pati bërë marrëveshje me PAN-in, jo me mua. Ata e kanë pasur bashkëpunimin atëherë të atyre që e kanë edhe tani. Kjo kërkesë kaq partikulare as nuk muden të maskohet e gjithsesi zbulohet me shprehjen vëlla. Ndihmom si vëlla ami 100 euro, nuk shkon”, tha ai.

Pas këtij fjalimi, Kryeministri Kurti e la sallën e Kuvendit, e kjo nxiti reagim të kryetarit të PDK-së.

“Ky tuc ka lind, tuc po jeton. Dol e lëshoi një grusht miza dhe iku. Krejt na jetojmë në imazhin e Albin Kurtit, jashtë tij s’ka jetë. Ky është arsyeja që Kosova ka ardhur në këtë derexhe”, tha Krasniqi.

Abdixhiku i LDK-së mori edhe njëherë fjalën për t’ia bërë një analizë tjetër Kryeministrit Kurti.

“Më jep përshtypjen që është si një kopshtar në luftë, e luftëtar në kopsht. Kur gjerat janë mirë merr zemër si një luan. Ai listoi disa masa pa e kuptuar vërtetë problemin, foli për pako, a është duke e kuptuar që masat e tij nuk janë duke pasur efekt”, tha kryetari i LDK-së.

Seanca përfundoi pas deklarimeve të deputetëve që kishin kërkuar ta thonin fjalën e tyre në lidhje me grevën. Debati vazhdon. /Express/