Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i shkallës së parë i ka shqyrtuar sot procedurat e hapura nga Komisioni i Garave.
Dhe, komisioni i drejtuar nga Metë Çeku, pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve dhe incizimeve televizive, vendosi që të kërkojë deklarata shtesë nga Prishtina dhe Dinamo, të cilat kishin përfunduar në disiplinor.
Prishtinasit përfunduan në disiplinor me arsyetimin se tifozët e këtij klubi në ndeshje me Ballkanin ndezën dhe hodhën mjete piroteknike, shurdhuese brenda rrethojës së fushës dhe e fyen në kor gjyqtarin kryesor të ndeshjes, shkruan “Gazeta Express”.
Kurse, ferizajasit për lëshim në organizim të ndeshjes kundër Suharekës pasi me të përfunduar takimi në hyrje të tunelit një person i paautorizuar e sulmoi me grushte gjyqtarin kryesor të ndeshjes duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka është detyruar të shkojë në emergjencë për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, menaxheri i klubit të futbollit Dukagjini, Ilir Desku u dënua me mos-ushtrim të detyrës për dy ndeshje zyrtare pasi e në ndeshje me Gjilanin e pengoi lëvizjen e gjyqtarit anësor në vijën kufizuese të fushës dhe në një moment e kapi atë për dore, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt.
Drejtori sportiv i Ramiz Sadikut, Betim Sylejmani po ashtu u dënua me mos-ushtrim të detyrës për dy ndeshje zyrtare pasi u ndëshkua me karton të kuq në ndeshje me Flamurtarin pas ofendimeve të vazhdueshme në drejtim të gjyqtarit kryesor dhe të gjyqtarit të katërt.
Edhe trajneri i Flamurtarit, Liridon Leci u dënua me dy ndeshje mos-ushtrim të detyrës në ndeshje zyrtare dhe me gjobë prej 300 eurosh pasi në ndeshje me Ramiz Sadikun, në zhveshtoret e lojtarëve e ka goditur me shkelm lojtarin me nr 6 të ekipit mysafir, për çka është ndëshkuar me karton të kuq direkt.
Portierja e KFF “Vizioni”, Pranvera Tasholli dhe lojtari i Flamurtarit, Rrezon Pllana, gjithashtu u dënuan me nga dy ndeshje moslojë. /Gazeta Express/
aaaaa