Kërkesa prej 180 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së, Alija nga FDHK sqaron obligimet e Gjykatës Speciale - Gazeta Express
string(104) "kerkesa-prej-180-vjet-burgim-per-ish-kreret-e-uck-se-alija-nga-fdhk-sqaron-obligimet-e-gjykates-speciale"

Lajme

Gazeta Express

09/02/2026 13:20

Kërkesa prej 180 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së, Alija nga FDHK sqaron obligimet e Gjykatës Speciale

Lajme

Gazeta Express

09/02/2026 13:20

Me nisjen e fjalëve përfundimtare në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, Prokuroria ka kërkuar dënime prej nga 45 vjetësh për secilin nga të akuzuarit, ndërsa monitoruesit e procesit kanë theksuar rëndësinë e vlerësimit individual të provave dhe aplikimit të ligjit më të favorshëm, raporton Ekonomia Online.

Avokati Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), ka sqaruar për Ekonomia Online se procedura parasheh që fillimisht fjalët përfundimtare t’i paraqesë Prokuroria, më pas pala e dëmtuar dhe në fund mbrojtja, duke shtuar se Prokurorja Speciale në hyrje të paraqitjes ka bërë një përmbledhje të asaj që do të prezantohet gjatë orëve të argumentimit dhe ka përmendur kërkesën që secili nga të akuzuarit të dënohet me nga 45 vjet burg.

“Po, siç e dini, sot kanë filluar fjalët përfundimtare të palëve në procedurë dhe, siç e kërkon procedura, fillohet me paraqitjen e fjalëve fillimisht nga Prokuroria, pala e dëmtuar dhe pastaj nga mbrojtja. Në fjalën hyrëse, në fjalën përfundimtare apo në pjesën e parë të kësaj fjale,  Prokurorja Speciale e ka bërë një përmbledhje të shkurtër se çka do të pasqyrojnë dhe prezantojnë prokurorët në, gjatë këtyre orëve të parashtrimit të fjalës përfundimtare. Dhe në mesin e informatave, ajo e ka cekur se ka kërkuar që secili të dënohet nga 45 vite, s’paku ashtu është përkthyer në gjuhën shqipe, dhe sigurisht që Prokuroria  pretendon dhe këmbëngul që t’i mbron akuzat me të cilat i ka ngarkuar katër të pandehurit”, tha ai.

Alija tha se në rast se gjykata gjen prova fajësuese, ajo ka obligim të aplikojë parimin “Lex Mitior”, pra ligjin më të favorshëm për të akuzuarit në momentin e shqiptimit të dënimit, duke pasur parasysh edhe praktikën ndëshkimore për krimet e luftës.

Ai sqaroi se në gjykatat vendore dënimet kanë lëvizur nga pesë deri në 15 vjet burgim, ndërsa në Tribunalin e Hagës nga 14 deri në 22 vjet, kryesisht për eprorë të forcave serbe, duke shtuar se ligji i RSFJ-së, që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprave, konsiderohet më i favorshëm për sa i përket dënimeve.

“Po në rast se gjykata do të gjen provat fajësuese, me të cilat i ngarkon Zyra e Prokurorisë, sigurisht që gjykata e ka për obligim që ta aplikon parimin Lex Mitior, pra ligjin më të favorshëm me rastin e aplikimit të, e aplikimit të dënimit. Po ashtu, gjykata duhet ta ketë parasysh edhe praktikën ndëshkimore për këto vepra penale. Pra, lidhur me krimet e luftës, deri më tani janë krijuar dy praktika; pra e kemi praktikën nga gjykatat vendore, të cilën e zbatojnë gjykatat nacionale, po ashtu edhe kemi praktikën ndëshkimore të TPNJ-së (Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë). Për veprat penale të cilat ndërlidhen, me krimet e luftës, dhe personat të cilët janë gjykuar për këto vepra penale qoftë pranë gjykatave vendore apo pranë Tribunalit të Hagës, politika ndëshkimore ka shkuar në gjykatat vendore prej 5 deri në 15 vite burgim; tekTribunali i Hagës politika ndëshkimore ka shkuar prej 14 vite deri në 22 vite, ku kryesisht eprorët apo përgjegjësit të forcave serbe janë dënuar me këto, me kaq vite burgim. Tani sigurisht që ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë ligji i RSFJ-së, i cili është ligji më i favorshëm me rastin e aplikimit të dënimeve për personat të cilët gjykohen për këto vepra penale”, tha ai.

Sipas tij, procesi është karakterizuar nga një nivel i lartë mbrojtjeje të dëshmitarëve të Prokurorisë dhe seanca të redaktuara për publikun, gjë që ka krijuar vështirësi për monitoruesit dhe mediat në ndjekjen e plotë të procedurës.

Avokati Alija theksoi se, për shkak të mungesës së qasjes së plotë në shkresat e lëndës, monitoruesit dhe publiku kanë kufizime në vlerësimin e provave dhe se vetëm trupi gjykues, pas analizimit të secilës dëshmi dhe provë, mund të marrë një vendim meritor.

“Po ne siç e kemi parë, ky proces gjyqësor, sidomos dëshmitarët e Prokurorisë, gati në 50% të dëshmitarëve kanë qenë të mbrojtur për publikun dhe seancat kanë qenë në një përqindje të madhe të redaktuara për publikun. Sigurisht që ka qenë, vështirësi edhe për monitoruesit, por edhe për mediat që t’i monitorojnë prej fillimit deri në fund pa pengesa këto procese gjyqësore. Sigurisht që ne, si monitorues, opinioni kemi kufizime në prova, kemi kufizime në, vlerësimin e provave dhe sigurisht që lidhur me këtë trupi gjykues, pas analizimit të secilës provë veç e veç, të secilës dëshmi veç e veç, do të merr një vendim meritor. Sigurisht që për neve të cilët nuk kemi qasje të plotë në shkresat e lëndës, nuk është profesionale që të lëshohemi në vendimet gjyqësore”, tha avokati Alija.

Kryeprorkurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar nga 45 vjet dënim veç e veç për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Ëest i kërkoi Gjykatës Speciale po ashtu që ta marrë parasysh peshën e veprimeve të secilit të akuzuar.

 “Kërkojmë dënimin e personave konkretë pra nuk kërkojmë një dënim për Shtabin e Përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon aktgjykim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës me dënim unik prej 45 vjetësh duke u mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë krime të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të jenë ende shumë të rënda”, tha West.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme, zhdukje me dhunë, si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

Advertisement
Advertisement
Advertisement