Për shumëkënd, kërcimi në ujë nga Ura e Fshejt duket i frikshëm dhe i paimagjinueshëm për t’u provuar.
Duhet ta kesh një zemër luani për të kërcyer nga një lartësi prej 18-20 metrash dhe atë në stilin dallëndyshe.
E një zemër të tillë e ka Florid Gashi.
Kërcyesi nga ura e Fshejt madje e bën këtë në mënyrë brilante dhe për të kanë shkruar mediat më prestigjioze të botës.
Gashi është kampioni i katërfishtë i Kosovës në kërcimet tradicionale dhe të përvjetshme nga Ura e Fshejt, që gjendet në afërsi të Gjakovës.
Në një bisedë me “Gazetën Express”, garuesi nga Kosova ka treguar për pasionin e tij për të kërcyer nga lartësia në ujë dhe ndjenjat që i përjeton gjatë kërcimit.
“Unë për herë të parë kam kërcyer dallëndyshe nga Ura e Fshejt në moshën 17 vjeçare. Asnjëherë nuk kam kërcyer në këmbë, vetëm në stilin dallëndyshe. Është një ndjenjë e papërshkrueshme, adrenalinë në maksimum. Kënaqësia e kërcimit është kur hidhesh dhe fluturon e bie në ujë. Por, kënaqësi është edhe kur del nga uji dhe e sheh veten që nuk je lënduar. Për këtë arsye edhe kjo hyn në listën e sporteve ekstreme”, deklaroi fillimisht Florid Gashi.
Ai i ka treguar edhe sfidat nëpër të cilat është përballur në këtë sport ekstrem dhe mjaft të rrezikshëm.
“Lëndimet kanë qenë të shumta. Gjatë kërcimit në ujë, 7 herë kam dalë pa frymë nga uji, më është ndalë fryma gjatë rënies në ujë. 3 herë më ka dalë gjak nga hundët dhe një herë e kam thyer dorën gjatë rënies në ujë. Sidoqoftë, as këto probleme nuk më kanë ndalur që ta realizoj dhe shijoj pasionin tim”, thotë tutje Gashi.
Floridi e ka mbushur vitrinën me kupa dhe tashmë është bërë një “profesor” i kërcimeve nga lartësia.
Gashi, një ekspert i kërcimeve, qenë 4 herë kampion i Kosovës në kërcimet nga Ura e Fshejt dhe 3 herë nënkampion.
Gjithashtu, ka qenë 1 herë kampion në Ujvarën e Mirushës, në kërcimet nga lartësia prej 17 metrash, 2 herë kampion në Liqenin akumulues në Mitrovicë, kampion dhe nënkampion në Pishinën “Arbi”, nënkampion në Liqenin e Dukagjinit dhe kampion në lumin Cem në Tërgaj të Malit të Zi në vitin 2023.
E si çdo fillim që e ka edhe fundin, edhe kjo eksperiencë e paharrueshme për Florid Gashin po merr fund.
Këtë vit, ai do të “fluturojë” për herë të fundit në gara zyrtare nga Ura e Fshejt pasi konsideron se e ka kompletuar tashmë misionin e tij dhe dëshiron të lirojë vend për të tjerët.
“Më 18 gusht 2024 janë garat e kërcimit në Urën e Fshejt ku do ta përfundoj karrierën. Por, kjo s’do të thotë se do të ndalem sepse kërcimet do t’i organizoj çdo vit dhe do t’i lë të rinjtë që të marrin pjesë. Përndryshe, unë që nga paslufta jam i pakonkurrencë dhe i pathyeshëm”, përfundoi Gashi.
37 vjeçari pak muaj më parë i dha fund edhe karrierës si futbollist, pasi luajti për disa skuadra kosovare dhe iu shënoi gola ekipeve të njohura të vendit tonë. /Gazeta Express/