Kërcënoi gazetarin, Gjykata ia cakton të akuzuarit masën e ndalimit për t’iu afruar Betim Musliut - Gazeta Express
string(95) "kercenoi-gazetarin-gjykata-ia-cakton-te-akuzuarit-masen-e-ndalimit-per-tiu-afruar-betim-musliut"

Lajme

Gazeta Express

29/04/2026 16:47

Kërcënoi gazetarin, Gjykata ia cakton të akuzuarit masën e ndalimit për t’iu afruar Betim Musliut

Lajme

Gazeta Express

29/04/2026 16:47

Gjykata Themelore Prishtinë ia ka caktuar të akuzuarit Sami Berisha masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, në këtë rast të dëmtuarit- gazetarit Betim Musliu dhe adresës së vendbanimit të tij.

Sami Berisha akuzohet për kanosje përmes rrjetit social “Facebook” ndaj gazetarit Betim Musliu dhe redaksisë “Betimi për Drejtësi”. Mesazhet për të cilat akuzohet Berisha kanë ardhë pas publikimit të raportit nga seanca gjyqësore e 24 prillit 2026 me titull “Edhe miliardat me m’i dhënë, djali jem nuk ngjallet”, ka deklaruar nëna e të ndjerit në rastin e vrasjes së dyfishtë në Kolovicë“, ku të akuzuar janë edhe dy vëllezërit e tij Naim dhe Ahmet Berisha.

Caktimin e masës së sigurisë e konfirmoi për “Betimi për Drejtësi”, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte dorëzuar në Gjykatë aktakuzë së bashku me kërkesë për caktim të paraburgimit.

Gashi bëri të ditur se Berishës iu ndalua t’i afrohet vendit apo personit të caktuar në hapësira publike 100 metra dhe në adresë dhe vendbanim të të dëmtuarit prej 100 metra.

Mbahet seanca dëgjimore për kanosje ndaj gazetarit Betim Musliu dhe redaksisë “Betimi për Drejtësi”, prokurori thotë se i akuzuari ka 17 raste të hapura

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën u mbajt seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj Sami Berishës i akuzuar për kanosje përmes rrjetit social “Facebook” ndaj gazetarit Betim Musliu dhe redaksisë “Betimi për Drejtësi”.

Kujtojmë se mesazhet për të cilat akuzohet Sami Berisha kanë ardhë pas publikimit të raportit nga seanca gjyqësore e 24 prillit 2026 me titull “Edhe miliardat me m’i dhënë, djali jem nuk ngjallet”, ka deklaruar nëna e të ndjerit në rastin e vrasjes së dyfishtë në Kolovicë“, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për rastin e vrasjes së dyfishtë në Kolovicë të Prishtinës më 26 mars 2024, po akuzohen Lum Halimaj, Naim Berisha, Ahmet Berisha dhe Kaltrim Gashi. Dy vëllezërit e këtu të akuzuarit Sami Berisha- Naim dhe Ahmet Berisha, si dhe dy të akuzuarit tjerë Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi akuzohen për veprat penale “Vrajse e rëndë” në bashkëkryerje dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve. Detajet nga akakuza e rastit në Kolovicë mund t’i gjeni: KËTU.

Fillimisht, gjykatësi i rastit Blerim Halimi njoftoi se Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatë aktakuzë së bashku me kërkesë për caktim të paraburgimit ndaj Berishës.

Gjykatësi Halimi njoftoi se për shkak të kohës së shkurtër për njoftim të të dëmtuarit për mbajtje të seancës fillestare, tash për tash mbahet seanca dëgjimore për caktim të masës së sigurisë.

Më pas, me elaborim të kërkesës vazhdoi prokurori shtetit Dardan Çela, duke thënë se Prokuroria brenda afatit ligjor paraqiti kërkesë për paraburgim së bashku me aktakuzë për veprën penale “Kanosje”.

Çela tha se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Berisha ka kryer veprën penale të “Kanosjes” dhe kjo bazuar në provat elektronike- bisedat mes të akuzuarit dhe dëmtuarit Musliu.

Po ashtu, prokurori Çela tha se vetë i akuzuari ka pranuar se i ka shënuar portalit “Betimi për Drejtësi” në Facebook duke shprehur pakënaqësi për lajmin që ishte publikuar lidhur me rastin e vëllezërve tij.

Sipas prokurorit Çela, i akuzuari Berisha është recidivist dhe ka të hapura 17 raste, prej tyre 2 për kanosje dhe 4 për armëmbajtje pa leje. Prandaj, sipas Prokurorit, lënia e të akuzuarit në liri nënkupton rrezikun për jetën dhe trupin e të dëmtuarit.

Në anën tjetër, mbrojtësja e Berishës, avokatja Luljeta Jashari-Hertica fillimisht kërkoi që seanca dëgjimore të jetë e mbyllur për publikun, mirëpo gjykatësi i rastit Halimi tha se ka vlerësuar se kjo seancë mund të monitorohet.

Tutje, Jashari-Hertica deklaroi se nuk ekziston dyshimi bazuar mirë për kryerje të veprës penale “Kanosja” nga i mbrojturi i saj dhe se natyrshëm nuk mund të ekzistojë kushti i veçantë për caktim të paraburgimit- ai i përsëritjes së veprës penale.

Më tej, avokatja Jashari-Hertica tha se prej kur Berisha ka dhënë deklaratë në Polici, ka deklaruar se nuk i është drejtuar të dëmtuarit Musliu por portalit “Betimi për Drejtësi”, duke shtuar se nuk e ka ditë as me kënd po komunikon.

Po ashtu, ajo tha se kanosja duhet të jetë serioze, e mundshme dhe të jetë e realizueshme, dhe se në rastin konkret nuk plotësohen këto kushte.

Kurse, për 17 rastet e hapura të të akuzuarit, Jashari-Hertica tha se nuk ka asnjë vendim të formës së prerë nga Gjykata që të bindemi se Berisha ka kryer ato vepra penale.

Në anën tjetër, vetë i akuzuari tha se nuk ka pasur qëllim të kanos të dëmtuarin Musliu, duke shtuar se është mbajtës i familjes.

Berisha shtoi se qëllimi i tij me rastin e shënimit të mesazheve në portalin “Betimi për Drejtësi” ishte përmirësimi i raportimit që ishte bërë nga ata për rastin e vrasjes së dyfishë në Kolovicë të Prishtinës, e jo për kanosje.

Më pas, përfundoi seanca dëgjimore për caktim të masës së sigurisë, ku gjykatësi Halimi tha se Gjykata brenda afatit ligjor do të lëshojë vendimin lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 prill 2026 njoftoi për ndalimin e Berishës nën dyshimin për kërcënimin ndaj gazetarit Betim Musliu dhe redaksisë së “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 28 prill 2026 me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, Sami Berisha akuzohet se më 25 prill 2026 me dashje e ka kanosur seriozisht se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe të dëmtuarit Betim Musliu- Kryeredaktor i redaksisë “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të një artikulli të seancës gjyqësore botuar në portalin “Betimi për Drejtësi” ku protagonistë ishin dy vëllezërit e të pandehurit në një rast penal ku ishin të akuzuar, i pandehuri në shenjë revolte përmes llogarisë së tij në rrjetin social “Facebook”, fillimisht i shkruan në mesazh privat portalit “Betimi për Drejtësi” dhe pastaj të dëmtuarit duke iu drejtuar me fjalët “Kujdes qka po shënon mos u mashtro me marr naj pare se tani tyn mi përdor per naj sen tjetër dija vlerën shëndetit sepse parja seshte asgjë se shum her te kam pa veq kundër ke shenu per vllezrit e mi tash je ndal pak po tjesh ma i kujdeseshem se edhe na i kem do familjar qe shohin lajme e përcjellin kapak”.

Me këtë, tek i dëmtuari, sipas aktakuzës, ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën e tij.

Andaj, me këto veprime, Sami Berisha ngarkohet me veprën penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Advertisement
Advertisement
Advertisement