Keqpërdorimi i Kosovës në Alpet zvicerane - Gazeta Express
string(41) "keqperdorimi-i-kosoves-ne-alpet-zvicerane"

Keqpërdorimi i Kosovës në Alpet zvicerane

OP/ED

Gazeta Express

22/07/2022 15:20

Reagim ndaj shkrimit “Keqpërdorimi i Kosovës në Parlamentin e Tiranës” të Enver Robellit, publikuar në “Koha Ditore”, me 21 korrik 2022

Shkruan Shkodran Hoti

Lexo Edhe:

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është mbase politikani më i shënjestëruar shqiptar për kritika dhe akuza nga Kosova, të paktën nga plejada e politikanëve pas rënies së komunizmit. Ai sulmohet kur flet për Kosovën. Ai është cak edhe kur nuk përmend Kosovën. Atij i kërkohet përgjegjësi kur nuk u del në mbrojtje kosovarëve, e kur del në mbrojtje të tyre, i paragjykohen llojllojshëm motivet.

Së fundi, atë e mori shenjë edhe Enver Robelli, gazetari i mirënjohur që jeton dhe vepron kryesisht në Zvicër, por që asnjëherë nuk heziton të na japë këshilla se si ta ndërtojmë jetën dhe vendin tonë ne ballkanasit që s’kemi dashur të largohemi nga gadishulli.

Në një nga shkrimet e shkruara shpejt që i publikon shpesh në “Kohën Ditore”, ky pjesëtar i diasporës kosovare ngre shqetësimin se Kosova është keqpërdorur gjatë ditës së djeshme nga Shqipëria. Këto konstatime ai i lëshoi pasi po gjatë kësaj dite, në Kuvendin shqiptar u iniciua një rezolutë nga deputetë të Partisë Socialiste kundër pretendimeve të Dick Martyt për trafikim organesh prej krerëve të UÇK’së.

Duket se publicisti, që garon për madhështi me Alpet zvicerane, ishte ndarë i pakënaqur me debatin pasionant në parlamentin shqiptar, pas të cilit hapi edhe thesin e kritikave ndaj socialistëve, e veçanërisht kundër Edi Ramës.

Këtij të fundit ia kujtoi se e ka mbështetur Gjykatën Speciale, gjë që ai nuk e ka mohuar kurrë. Ia përmendi edhe raportet e mira me Hashim Thaçin, të cilat i bën të ditura sa herë që i jepet mundësia. Dhe, ani pse nga pozicioni i një të dënuari për shpifje nga gjykata zvicerane, mori guximin edhe për t’ia hedhur poshtë kredibilitetin fjalëve të kryeministrit Rama në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë.

Derisa po prisja të lexoja shtjellim argumentesh rreth këtyre pretendimeve, shkrimi i Robellit përfundoi me një “këshillë” që na porosiste se “Kosova nuk do të duhej të keqpërdorej si leckë për tharjen e moçalit të politikës së Tiranës”.

Përveç se e panevojshme, fjalia “këshilluese” e veprimtarit të “Kohës Ditore” sikurse edhe pretendimet e palosura më lart, janë përplot pasaktësi dhe gjithsesi dashakeqësi. Gjithashtu shpalos veç një grumbull mllef të tij ndaj Edi Ramës, i cili nuk është i preferuari i të preferuarve të Robellit, që aktualisht udhëheqin me shtetin e Kosovës.

Së pari, rezoluta kundër Dick Martyt në asnjë formë nuk dëmton shtetin kosovar, e as nuk është në kundërshtim me Gjykatën Speciale. Derisa kjo e fundit u krijua në bazë të raportit për trafikim organesh të senatorit zviceran, aktakuzës ndaj krerëve të UÇK’së po i mungon edhe dyshimi më i vogël për këtë se lëre më faktet. Në anë tjetër, procesi gjyqësor ndaj tyre po zvarritet në mënyra të ndryshme, kurse Marty është shfaqur vetëm për të treguar se ka pasur plan për likuidimin e tij nga shërbimet serbe.

Për pabazueshmërinë e këtij raporti, para se të fliste në Kuvendin e Shqipërisë, Edi Rama foli dy ditë më herët midis Brukseli. Ndërkohë që kryeministri i shtetit mbi të cilin rëndojnë pretendimet e këtij raporti, përveç se as nuk është deklaruar për këtë çështje, nuk e ka marrë mundin ta bëjë qoftë edhe një vizitë tek krerët e UÇK-së në Hagë. Për më tepër, zonja që udhëheq me diplomacinë kosovare ka deklaruar publikisht se ka dorëzuar dosje në Speciale, pa dhënë asnjëherë sqarime konkrete se për çfarë bëhet fjalë.

Kur Robellit, partizanit që “mbron” Kosovën nga Edi Rama, nuk i lënë përshtypje këto, ai derdh vrer mbi kreun socialist, ani pse ky i fundit pati kritika të njëpasnjëshme ndaj BE’së për mosliberalizmin e vizave për Kosovën. Njohjen e saj e kërkoi edhe midis Ukrainës, ndërkohë që pushtetarët kosovarë që Robelli i shihte si “çliruesit e vendit”, tash e më shumë se një vit nuk e sollën as edhe një njohje, e që në vend të lobimit për Kosovën, prodhuan skandale njëri pas tjetrit.

Gjuha e shfrenuar e Robellit merr hov edhe më shumë teksa kërkon ndriçimin e vrasjes së Ahmet Krasniqit dhe Ilir Konushevcit nga socialistët. Kjo nuk është hera e parë që ai dhe “robellë” të tjerë përdorin emra viktimash për agjenda politike. Njëjtë kanë bërë edhe të preferuarit e tij që sot janë në majat e pushtetit, të cilët s’kanë lënë akuzë pa përtypur ndaj Shërbimit Informativ të Kosovës si opozitarë, duke kërkuar përgjegjësi për shumë vrasje të kryera që nuk iu dihen autorët. Tash e më shumë se një vit duke zotëruar gjithë pushtetin, të njëjtit nuk kanë nisur as edhe një hetim parlamentar për ShIK’un, ani pse i kanë të gjitha mundësitë.

Kushdo që jeton në Kosovë është dëshmitari më i mirë se regjimi i ri në krye të Kosovës, të cilin e ka përkrahur Robelli, nuk po tregon as sinjalet më të vogla për ndryshime rrënjësore nga 20-vjeçari i mëparshëm, të cilën e vajtonin për vite bashkërisht. Madje, në shumë segmente jeta e një kosovari është vështirësuar. Dikush që jeton në një shtet si Zvicra, mund të përpiqet të japë “leksione” për shtetin tone, por fillimisht do të duhej ta kuptonte sadopak përditshmërinë tonë.

Duhet pasur guxim robellian që nga Alpet zvicerane ta quash “moçal” politikën në Shqipëri, kryeministri i së cilës përditë promovon investime që lehtësojnë jetën e qytetarit shqiptar, dhe i cili ia doli të hapë negociatat me Bashkimin Evropian. Kosova në anën tjetër, ka në krye të ekzekutivit një kryeministër që shumicën e kohës përkujton data dhe figura historike, dhe jashtë Kosovës i vetmi progres duket në pjesëmarrjen në simpoziume.

Duke qenë në këtë gjendje, çdo ndihmë nga Shqipëria dhe çdo shtet fqinj është më se e mirëseardhur. Atë nuk mund ta quajë askush “ndihmë”, e aq më pak ta interpretojë si keqpërdorim të Kosovës. Mbase edhe mundet, por pikërisht atëherë flasim për keqpërdorim. Siç po e keqpërdorë Kosovën Enver Robelli nga Alpet zvicerane.

/Gazeta Express