“Ishte paksa drithëruese.” Kështu e përshkruan këngëtarja folk Olivia Chaney momentin kur kuptoi se një këngë që pasqyronte jetën e saj personale kishte përfunduar në filmin Wuthering Heights, me regji nga Emerald Fennell dhe me Margot Robbie në rol kryesor.
Rreth një orë pas nisjes së filmit, personazhi i Robbie-t shfaqet me një fustan nusërie, duke ecur i vetmuar në moore, i shoqëruar nga një zë femëror anglez – i pastër, i zhveshur nga orkestrimi – që këndon baladën e shekullit XIX Dark Eyed Sailor.
Teksti flet për një grua që endet e vetme dhe për një burrë që largohet për “shtatë vjet” përpara se të kthehet. Zëri është i Chaney-t, i shoqëruar vetëm nga droni i një harmoniumi.
Shumë kohë para se Fennell ta gjente këngën online, Chaney po përgatitej ta këndonte për një sesion live në vitin 2013 në emisionin e BBC Radio 2 të Mark Radcliffe.
Në atë periudhë, ajo vetë ishte e përfshirë në një “trekëndësh dashurie” në stilin e Brontë-ve: në fillim të lidhjes me burrin që sot është bashkëshorti dhe babai i dy fëmijëve të saj, ndërsa rrethanat pothuajse i kishin çuar të dy në martesa të tjera. “Ta shihja këtë këngë të përdorej për ndjenjat e Cathy-t, që ndihet e lidhur me njeriun e gabuar, ishte vërtet e frikshme,” thotë ajo.

Fennell i tregoi Chaney-t se po zgjidhte mes tre këngëve të saj dhe u ndal te Dark Eyed Sailor sepse “u lidh emocionalisht” me të. Përdorimi i zërit pa orkestër, thotë Chaney, e nxjerr në pah ndjesinë e zhveshur dhe të brishtë të këngës.
Rikthimi i kësaj balade përkoi me një fazë të re në karrierën e Chaney-t, e cila pas disa albumeve me materiale origjinale – përfshirë Circus of Desire (2024) – po rikthehet te folk-u. Ajo po nis gjithashtu një projekt të ri folk-rock, News From Nowhere, me muzikantë të njohur britanikë dhe një prirje të qartë për të kapërcyer kufijtë mes zhanreve dhe epokave.
Chaney e gjeti rrugën e saj drejt muzikës folk në të 20-at, pas një formimi të gjerë klasik dhe xhazi. Një takim rastësor në Southbank Centre në Londër me një muzikant rruge – Matthew Ord – e çoi drejt këngëve tradicionale dhe, përfundimisht, te Dark Eyed Sailor. Ishte Ord ai që ia mësoi këngën dhe që një ditë i solli në shtëpi një harmonium, instrument që sot është i pandarë nga interpretimi i saj.
Që atëherë, Chaney është bërë një nga zërat më të respektuar të folk-ut britanik, duke bashkëpunuar me figura emblematike dhe duke qenë pjesë e projekteve të vlerësuara ndërkombëtarisht. Paralelisht, ajo vazhdon të eksplorojë lidhjet mes muzikës popullore, asaj klasike dhe kulturës bashkëkohore – një qasje që reflektohet edhe në kolonën zanore të Wuthering Heights, ku përkrah saj dëgjohet edhe zëri i Charli xcx.
Për vite me radhë, versioni i Chaney-t i Dark Eyed Sailor ekzistonte vetëm në regjistrime live në YouTube. Vetëm së fundmi ajo publikoi një version të incizuar, i cili, sipas saj, “më në fund gjeti vendin e vet” kur u dëgjua në premierën e filmit në Leicester Square. “Kur kënga filloi dhe zëri im u dëgjua krejt i vetëm, ia shtrëngova dorën burrit tim aq fort sa m’u kujtua momenti i lindjes,” rrëfen ajo.
Kënga rikthehet edhe në fund të filmit, kur Heathcliff kthehet te Cathy dhe në minutat e fundit plot mall. “Është një këngë që e dua shumë,” thotë Chaney. “Kthehet gjithmonë dhe të përndjek.” /GazetaExpress/