Themeluesi i Festivalit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, ka folur për natën e parë të këtij festivali i cili nisi mbrëmë.
Lipa në “Prive” në Klan Kosova tha se për ta që punojnë në festival, mund ta shijojnë më pak, pasi janë duke punuar gjatë gjithë kohës që performanca e artistëve dhe çdo gjë tjetër të jetë sa më e mirë.
“E shijojmë në një masë por jo sikur publiku. Edhe dita e parë është më e vështira e festivalit pasi gjithçka duhet të kontrollohet në masa shumë më të mëdha, por të gjithë e kemi shijuar shumë mbrëmë festivalin”, tha Lipa, njofton Klankosova.tv.
Ai po ashtu u shpreh se pavarësisht që vajza e tij, ylli me famë botërore Dua Lipa performoi mbrëmë, të njëjtën gjë nuk pritet që ta bëjë për çdo vit në “Sunny Hill”.
“Kjo performancë është pjesë e turit. Duhet të i lajmëroj të gjithë që Dua nuk do të performojë për çdo vit në Sunny Hill. Ne e kemi line-up një nga më të mirët në Evropë. Besoj që njerëzit e dinë që është e pamundur që Dua të këndojë për çdo vit”, tha Lipa, njofton Klankosova.tv.
Mbrëmë, në skenë bashkë me Duan u ngjit edhe vetë Dukagjini me këngën “Era”, e për të cilën tha se kjo ishte një surprizë për publikun.
“Ishte një surprizë, në çdo qytet dhe shtet që shkojmë, Dua e ka një cover të atij vendi, e këtë radhë ka zgjedhur kështu. Veç Prishtina e ka mundësinë me pa. Zakonisht kemi mysafirë prej më të ndryshme. Pra, në çdo vend është artisti i atij vendi”, tha ai.