Bizneset do të protestojnë më 11 qershor nga ora 11:00 deri në 12:00 për shkak të daljes në treg të hapur të energjisë elektrike. Në një konferencë për media kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se bizneset kanë filluar t’i ndjejnë pasojat negative të vendimit për liberalizim të tregut.
“Për këtë arsye në emër të bizneseve kërkoj nga Qeveria e Kosovës që të reflektojë, ta subvencionojë këtë pjesën e tranzicionit për shkak të kushteve dhe të rrethanave ku jemi dhe ta gjejmë një zgjidhje që ta menaxhojmë sa më mirë dhe të mos ketë nevojë që bizneset dhe punëtorët të dalin në shesh për të protestuar”, tha ai.
Ndërsa kryetari Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se përmes protestës synojnë të tregojnë që bizneset janë goditur thellë. Ai shtoi se kompanitë nuk po arrijnë ta përballojnë shtrenjtimin e rrymës.
“Kjo është kërkesë e komunitetit të biznesit, të 1300 kompanive që janë prekur, mbi 143 mijë punëtorë… Të tregojmë edhe një herë se jemi goditur thellë, bizneset prodhuesit shërbyesit nuk po munden ta përballojnë këtë shtrenjtim të energjisë elektrike, askush nuk është kundër tregut të hapur por në formën dhe mënyrën. Kërkesa kryesore është që të ketë prolongim të këtij vendimi në mënyrë që bizneset të përgatiten”, tha Shahini.
Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane tha se dy biznese janë mbyllur dhe se në njërën prej tyre ishin të punësuar 300 persona.
“Të gjithë prej nesh jemi të informuar për dy fabrikat të cilat janë në pronësi të investitorëve të huaj ose që kanë kapital të përzier, janë mbyllur. Po flasim për nja 300 punëtorë në njërën prej komunave më të varfëra në Kosovë që kanë mbetur pa punë. Ajo që është për keqardhje është që Ministria e Ekonomisë është e njoftuar për mbylljen e njërës fabrike përmes një shkrese zyrtare dhe një vend se të reflektohet këto ditë Ministria e Ekonomisë dhe Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime ka dërguar një njoftim për bizneset që të marrin pjesë në një seminar në të cilin do të flitet për mënyrën si të kalohet më lehtë në tregun e liberalizuar. Është situatë qesharake”, tha ai.
Ilir Ibrahimi tha se në takimin e sotëm disa biznese kanë deklaruar se po e konsiderojnë mbylljen.
“Tashmë po shihen pasojat, fabrikat janë duke u mbyllur, i kemi dy fabrika që janë mbyllur në një komunë, patëm disa deklarime në takimin me 400 biznese të cilët u deklaruan se janë duke e konsideruar mbylljen e fabrikave të tyre. Pra situata është shumë serioze, jemi para mbylljes së fabrikave të këtij vendi, fabrika të cilat janë themeluar me shumë mund dhe të mos ketë asnjë reagim nga qeveria ende, kjo është e papranueshme”, tha Ibrahimi. /GazetaExpress/
aaaaa