Këmbët e virusit dhe arkivolet mbi shpinë - Gazeta Express
string(41) "kembet-e-virusit-dhe-arkivolet-mbi-shpine"

Këmbët e virusit dhe arkivolet mbi shpinë

Gazeta Express

29/03/2020 16:30

Më 16 dhjetor 2019 në spitalin qendror të Wuhanit në Kinë u shtrua pacienti i parë i infektuar me koronavirus (i njohur si COVID-19). Dy muaj më vonë numri i të vdekurve kaloi shifrën 3000, ndërsa të infektuar ishin rreth 80 mijë persona.

Në SHBA, më 20 janar u shënua rasti i parë që rezultoi i infektuar me COVID-19, ndërkaq pas katër javësh (më 29 shkurt) vdiq personi i parë. Një muaj më vonë (më 29 mars) mbi 123 mijë persona janë të infektuar, kurse 2229 kanë vdekur.

Lexo Edhe:

Më 31 janar 2020, rezultatet e analizave për dy turistë kinezë që kishin ardhur në Itali dolën infektuar nga ky virus . Tri javë më vonë (më 21 shkurt), numri i të infektuarve nga ky virus ishte 16 persona. Gjatë pesë javëve që pasuan 21 shkurtin, numri i të vdekurve në këtë shtet ka kaluar shifrën prej 10 mijë personash, ndërkaq ai i të infektuarve është mbi 92 mijë, 3800 prej të cilëve në gjendje kritike.

E njëjta gjë edhe në Spanjë. Më 31 janar u shënua rasti i parë i infektuar me koronavirus ( rasti i një turisti gjerman në arkipelagun e Kanarive). Më 3 mars ndodhi vdekja e personit të parë në Spanjë nga ky virus. 25 ditë më vonë, Spanja ka rreth 79 mijë njerëz të infektuar nga koronavirusi, kanë vdekur 6528 persona dhe 4165 persona ndodhen në gjendje kritike.

Nëse analizojmë të dhënat e shumicës dërmuese të shteteve të prekur nga kjo pandemi do të konstatojmë se në periudhën dy mujore nga shfaqja e rasteve të para, situata është shndërruar në dramatike. Vetëm në dy muajt e fundit janë infektuar mbi 680 mijë njerëz dhe kanë vdekur mbi 30 mijë persona.

Përballë kësaj situate tragjike dhe me rreziqe të mëdha, shkencëtarët e fushës së mjekësisë dhe farmaceutikës janë duke bërë përpjekje të mëdha për të gjetur terapinë e përshtatshme në këtë luftë me “armikun e padukshëm”. Bashkimi Europian ka ndërmarrë një testim të 4 terapive të ndryshme në 7 shtete të saj dhe me një popullatë prej 3200 pacientësh për të ardhur deri te terapia më e mirë. Edhe në SHBA, në Australi dhe në shumë vende janë duke bërë përpjekje që t’i bëhet çare kësaj çështjeje. Në ndërkohë, nga të gjithë ne kërkohet të shmangim kontaktet dhe të respektojmë udhëzimet për distancën e nevojshme dhe masat higjienike që duhet të zbatohen nga çdo qytetar.

Në një mesazh për qytetarët e Kosovës, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Dr Naser Ramadini bëri apel që të respektohen me përpikëri udhëzimet për t’u mbrojtur nga përhapja e këtij virusi. Madje, për ta bërë edhe më të qartë përgjegjësinë e çdonjërit në këtë situatë të jashtëzakonshme, ai tha:  Koronavirusi nuk ka këmbë! Me një fjalë, duhet të kemi kujdes të mos ia japim këmbët tona që ta sjellim në familjet tona dhe te miqtë tanë.

Atij që nuk i respekton me seriozitetin më të lartë udhëzimet e njerëzve kompetent në këtë lami duhet t’i bëhet me dije se duke ia huazuar këmbët e veta virusit ai, me vetëdije apo pa vetëdije,  mban mbi supet e veta edhe arkivolet e familjarëve, miqve dhe njerëzve të tij të dashur! Prandaj KUJDES, pa panik dhe pa nënvlerësim të situatës!