Besim Kelmend, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka pritur në takim një delegacion nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë të kryesuar nga eksperti për mentorimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, Alan Edwards, së bashku me zyrtaren për Zbatimin e Politikave në Sektorin e Sundimit të Ligjit në Ambasadën Britanike në Kosovë, Altina Besimi dhe këshilltarin teknik Blend Zyrapi.
“Gjatë takimit u zhvillua një diskutim i hapur dhe konstruktiv lidhur me bashkëpunimin e deritanishëm, me ç’rast u vlerësuan përpjekjet dhe rezultatet e arritura, sfidat dhe mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes së ofruar nga Ambasada Britanike në forcimin e kapaciteteve të institucionit të Prokurorit të Shtetit në lidhje me ekipet e përbashkëta hetimore si mekanizëm efikas në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kelmendi, siç tregon zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, falënderoi përfaqësuesit e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme profesionale dhënë për institucionet e drejtësisë, me theks të veçantë për Prokurorin e Shtetit në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në vend.