KEK-u do të jetë Furnizuesi i Mundësisë së Fundit deri më 30 janar 2026 për furnizimin me energji për biznese. Kryetari i Dhomës së Tregtisë kërkon shtyrje të vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë për së paku një deri në dy vjet, ndërsa ZRRE dhe KEK u bëjnë thirrje bizneseve të lidhin kontrata të reja për të shmangur ndërprerjen e furnizimit.
Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që bizneset të dalin në tregun e lirë të energjisë u ka shkaktuar atyre shqetësime tash e një kohë. Përmes protestave, konferencave dhe formave të tjera, përfaqësuesit e bizneseve kanë kërkuar që ky vendim të shtyhet së paku për një vit, në mënyrë që të kenë kohë të përgatiten për daljen në tregun e lirë.
Pas këtyre reagimeve, më 12 qershor 2025, ZRRE ka marrë vendim që KEK-u të jetë Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF) deri më 30 janar 2026.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Skënder Krasniqi, në një deklaratë për Radio Kosovën tha se ky vendim është marrë për shkak se shumica e bizneseve nuk kanë pranuar të nënshkruajnë kontrata as me KEK, as me KEDS, për shkak të rritjes enorme të çmimeve dhe mungesës së konsultimeve paraprake.
“Qeveria dhe ZRRE-ja, po tenton që t’i detyrojë bizneset të hyjnë në kontrata për çmime të panjohura, duke mos pasur asnjë garanci se sa do të paguajnë në fund të muajit”, deklaroi Krasniqi.
Ai shtoi se dhjetëra biznese tashmë e kanë fituar rastin në gjykatë dhe gjykatat duhet të marrin një vendim të përgjithshëm mbi bazën e këtyre rasteve, në vend që të detyrojnë secilin biznes të veprojë veç e veç përmes padive gjyqësore.
“Vendimi i ZRRE-së është i pamenduar dhe duhet të shtyhet së paku për 1 ose 2 vjet, për të lejuar tregun të përgatitet për liberalizim”, theksoi ai.
Në anën tjetër, ZRRE ka sqaruar se vendimi i marrë më 12 qershor ka për qëllim të garantojë furnizimin me energji për konsumatorët gjatë periudhës së tranzicionit drejt liberalizimit të tregut. Sipas këtij vendimi, KEK do të mbetet FMF deri më 30 janar 2026.
Megjithatë, sipas nenit 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike, një konsumator individual mund të përfitojë nga shërbimi i FMF-së vetëm për një periudhë jo më të gjatë se 60 ditë nga momenti i kalimit në këtë status. Kjo nënkupton që për bizneset që kanë kaluar automatikisht te FMF më 1 qershor 2025, furnizimi përfundon më 30 korrik 2025.
KEK, në rolin e FMF-së, ka njoftuar se pas përfundimit të kësaj periudhe 60-ditore nuk ka më detyrim ligjor për të vazhduar furnizimin. Prandaj, është e domosdoshme që bizneset të përzgjedhin një furnizues të ri përmes kontratës komerciale. ZRRE u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që aktualisht furnizohen nga KEK përmes FMF-së që ta përfundojnë sa më parë procesin e përzgjedhjes së furnizuesit të ri, përndryshe rrezikojnë të mbesin pa energji elektrike pas datës 30 korrik.