Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka miratuar vendimin për ndarjen e një bonusi në vlerë prej 400 euro neto për të gjithë të punësuarit e korporatës.
KEK tha se ky vendim është marrë bazuar në kompetencat statutare të Bordit, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe në përputhje “me praktikat më të mira ndërkombëtare të qeverisjes korporative, si dhe mbi bazën e performancës së mirë financiare të KEK Sh.A. gjatë vitit 2024”.
“Bordi e ka ndërmarrë këtë vendim me bindjen se mirëqenia e punonjësve të KEK Sh.A. mbetet një prioritet strategjik, duke i konsideruar ata si asetet më vitale të korporatës dhe themel të suksesit dhe stabilitetit të saj”, tha KEK.
Njoftimi i plotë:
Sot, në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK Sh.A.), është miratuar vendimi për ndarjen e një bonusi në vlerë prej 400 euro neto për të gjithë të punësuarit e korporatës.
Ky vendim është marrë bazuar në kompetencat statutare të Bordit, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare të qeverisjes korporative, si dhe mbi bazën e performancës së mirë financiare të KEK Sh.A. gjatë vitit 2024.
Njëkohësisht, në shqyrtimin e këtij vendimi janë marrë parasysh edhe kërkesat e dy sindikatave aktive në KEK Sh.A. – SR-KEK dhe SPEK – të adresuara gjatë takimeve të rregullta me menaxhmentin ekzekutiv.
Bordi e ka ndërmarrë këtë vendim me bindjen se mirëqenia e punonjësve të KEK Sh.A. mbetet një prioritet strategjik, duke i konsideruar ata si asetet më vitale të korporatës dhe themel të suksesit dhe stabilitetit të saj.
Ky bonus përfaqëson një vlerësim të drejtpërdrejtë për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e vazhdueshëm të stafit në përmbushjen e objektivave të korporatës në sektorin energjetik të vendit.
Zbatimi i vendimit do të bëhet nga menaxhmenti ekzekutiv, në koordinim me njësitë përkatëse financiare dhe administrative të KEK Sh.A.