Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se Njësia B2 e Termocentralit Kosova B është rikthyer në operim sonte.
KEK këtë e kosideron si një arritje të rëndësishme dhe historike për sistemin energjetik të vendit.
Tutje, KEK ka bërë të ditur se kthimi i njësisë është realizuar me sukses të plotë, madje edhe para afatit të parashikuar.
Siç tregohet në njoftim, rehabilitimi dhe modernizimi i turbinës u realizua në bashkëpunim me kompaninë ndërkombëtare General Electric dhe ekspertët e KEK-ut.
Më poshtë njoftmi i plotë:
NJË ARRITJE HISTORIKE PËR SISTEMIN ENERGJETIK TË KOSOVËS
Pas një periudhe të angazhimit maksimal dhe punës së palodhshme, njësia B2 e TC Kosova B është kthyer në operim sonte, me sukses të plotë – madje edhe para afatit të paraparë, 04.10.2025.
Projekti madhor i rehabilitimit dhe modernizimit të turbinës, i zbatuar në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze General Electric dhe ekspertët tanë të KEK sh.a., ka rezultuar me rritje të dukshme të kapaciteteve prodhuese dhe efikasitet më të lartë të sistemit.
Ky implementim i suksesshëm do të sjellë kursime të konsiderueshme për Korporatën, duke garantuar stabilitet dhe siguri më të madhe energjetike për vendin.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë stafin profesional dhe menaxhmentin e TC-B-së, për përkushtimin, kompetencën dhe vizionin e treguar gjatë realizimit të këtij projekti strategjik.
Gjatë periudhës së startimit dhe në përkrahje të punonjësve, të pranishëm ishin edhe vetë z. Gramos Hashani, Kryeshef Ekzekutiv i KEK sh.a., së bashku me bashkëpunëtorë nga menaxhmenti, duke dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë në këtë proces madhor.
Kosova po modernizohet! Energjia e së ardhmes po krijohet sot.