Përmes një deklarate të shpërndarë ditën e djeshme nga delegacioni i BE-së në Tiranë, Komisioni Europian shqetësime serioze për draftin e prezantuar nga qeveria “Rama” për amnistinë fiskale dhe e konsideron atë një rrezik thelbësor për reputacionin e Shqipërisë. KE deklaroi se drafti dobëson kontrollin e Shqipërisë kundër pastrimit të parave; çka shqetëson shtetet anëtare të Bashkimit Europian si dhe partnerët e tjerë.
Përfaqësuesit e Komisionit Europian e kanë shprehur qëndrimin para zyrtarëve të qeverisë shqiptare gjatë takimit të 13-të të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë mbajtur më 29 qershor në Bruksel.
“Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore,” thuhet në njoftimin për shtyp.
“Për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin,” shtohet aty.
Qeveria shqiptare publikoi para pak pak ditësh për konsultim publik një draft të ri të projektligjit kontrovers të amnistisë fiskale, pasi u detyrua të tërheqë një projekt të ngjashëm nga shtyrtimi parlamentar vitin e kaluar nën presionin e Komisionit Evropian.
Projekti parashikon që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës.