Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se kërkesa e fundit e presidentes Osmani drejtuar Kushtetueses ngre disa dilema.
“Megjithatë, kërkesa e Presidentes për interpretim nga Gjykata Kushtetuese, e paraqitur vetëm pak ditë para përfundimit të afatit 30-ditor, ngre disa dilema. Fillimisht, është e paqartë se ku qëndron pretendimi për “konflikt të kompetencave” mes Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë në këtë moment, përderisa afati ende nuk ka përfunduar, dhe Kuvendi ka ende hapësirë për të përmbushur detyrimin e tij për konstituim. Në këtë kuptim, kërkesa duket se paragjykon rezultatin e ditëve të mbetura dhe dobëson pritshmërinë që deputetët ta përmbushin përgjegjësinë e tyre. Mbi të gjitha, pyetja “çfarë ndodh pas 30 ditësh?” është një çështje që ka mundur – dhe është dashur – të sqarohej menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, në mënyrë që të sigurohej qartësi mbi pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit.”
Ndërsa sa i përket kërkesës për pezullim tha se është e paarsyeshme.
“Në anën tjetër, kërkesa për pezullim të afatit kushtetues, në formën e një mase të përkohshme, duket e paarsyeshme, meqë e njëjta iu mundëson “komoditet”, për mosveprim subjekteve parlamentare dhe deputetëve.”
“KDI konsideron që aktgjykimi i 26 qershorit është i qartë dhe ka përcaktuar afatin 30-ditor si detyrues dhe substancial për subjektet parlamentare, respektivisht deputetët. Në fakt, mosrespektimi i afatit përbën një dështim për të përmbushur një detyrim themelor kushtetues. Respektimi i dispozitave dhe afateve kushtetuese është një nga shtyllat themelore të rendit demokratik, meqë ato synojnë të parandalojnë bllokada institucionale dhe të orientojnë akterët drejt zgjidhjeve. Andaj, ftojmë subjektet parlamentare të tregojnë përgjegjësi, të respektojnë Kushtetutën dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të përmbushur detyrimet e tyre brenda afateve. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese mund të qartësojë pasojat e skadimit të afatit, por nuk mund të shërbejë si mekanizëm për të pezulluar përgjegjësinë politike.”