KB Peja ka reaguar për incidentet që ndodhën mbrëmë në ndeshjen finale të Superkupës së Kosovës, ndaj Trepçës.
Klubi pejan ka vlerësuar se reagimet dhe deklaratat për incidentet e së dielës janë vetëm sa për sy e faqe, shkruan Gazeta Express.
“Verdhezinjtë” gjithashtu shtuan se në vendin tonë çdo gjë kalon pas disa ditësh, duke iu referuar se pastaj sërish ndodhin gjerat e njëjta.
KB Peja publikoi një fotografi të Lis Shoshit, duke u përkujdesur për sigurinë e tifozit të veçantë pejan, në palestrën “13 Qershori” të Suharekës.
Reagimi i plotë nga klubi i Pejës (pa ndërhyrje):
Reagimet dhe deklaratat për ndodhitë e natës së kaluar në Suharekë janë vetëm sa për sy e faqe, të gjithë e dijmë se në Kosovën tonë të dashur çdo gjë kalon për vetëm 2-3 ditë.
Po e shpërndajmë me ju si shenjë revolte një fotografi e cila ka përmbajtje “dashurie dhe kujdesi”.
Në foto:
Lis Shoshi duke u kujdesur për sigurinë e Mehdi-së në palestrën “13 Qershori” të Suharekës.
Mehdi kupën nuk e fituam, t’kërkojmë falje, por e kuptuam se sa e bashkume osht kjo Pejë kur në pytje është njëri-tjetri.
Vazhdojmë tutje, pa frikë e dyshim, drejt sezonit 23/24
T’bashkum se #ZemraRrehMeTy”.
Kujtojmë se lidhur me incidentet në finalen e Superkupës kanë reaguar edhe nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), nga fituesi i trofeut KB Trepça dhe të tjerët. /Gazeta Express/