Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prizren, njofton se ka ndërmarrë veprime hetimore sipas autorizimit të prokurorit të shtetit, mbi dyshimet se zyrtarë nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër në Gjakovë, kanë mundësuar kundërligjshëm bartjen e pronave në pronësi të personave të tretë.
“Pas një mori veprimesh hetimore, të kryera në koordinim me prokurorin e shtetit, janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se katër të dyshuar (dy meshkuj dhe dy femra) nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Gjakovës, dyshohet se me veprimet e tyre në vitet 2018 dhe 2019, kanë lëshuar kundërligjshëm pëlqimet dhe vendimet për parcelizimin dhe bartjen e pronave tek personat e tretë, pa dijeninë dhe autorizimin e pronarëve legjitimë”, thuhet në njoftim.
“Personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e mbrojtësve të tyre, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe me aktvendim të prokurorit, të katër të dyshuarit janë ndaluar deri në 48 orë”, thuhet në njoftim.