Katër dromca nga Kosova - Gazeta Express
string(23) "kater-dromca-nga-kosova"

Katër dromca nga Kosova

OP/ED

Gazeta Express

16/11/2023 12:50

Shkruan: Edison Ypi 

Fill pas bombardimeve. Në hymje të Shtimjes. Mëngjes herët. Ag. Mjegull. Gërmadha shtëpish gjithandej. Te një lavazh, ulur, mbështetur pas muri, pronari dhe njëkohësisht punëtori i lavazhit, ndjen zhurmën e makinës që afrohet. Çohet. Më hedh një vështrim mua dhe makinës. Nis punën me la makinën. I dridhen duart. Jo pak. Duart i dridhen shumë.

Lexo Edhe:

Po ta vëresh mirë, edhe trupi i dridhet. Nuk është më tepër se 40. Nuk mundet me pas Parkinson. E kryen më së miri punën. E bën makinën dritë. E pyes sa bën, sa kushton, sa e ka hakun? Më sheh edhe një herë nga koka te këmbët, merr frymë thellë, dhe më thotë: ‘Të njoha nga targa e makinës. Jam kthy pi kurbeti para tri ditësh. Në Gjermani kam la makinat e krejt botës. Larja e makinës tënde kushton zero. Ty shqiptarit të Shqipnis nuk do të marr asgjë”.

Pra, qenkësh dridhur këmbë e duar nga fati që pati, nga kënaqësia që i erdhi rasti me ia la makinën një të panjohuri nga Shqipnia. Tani nis e dridhem unë. E përshëndes. Largohem i hutuar nga kjo mbresë e rrallë ose e vetme, e paprovuar kurrë më parë. Gjakovë. “Çarshia e Vjetër”.

Djegur e shkatërruar sa të merr të qarët. Kanë mbet veç do baraka. Edhe ato për ibret. Gjithçka tjetër e djegur. Hyjn’Çarshi me ngrënë Pasul. Bajagi i famshëm Pasuli n’Çarshi t’Vjetër t’Gjakovës. Pronari i restorantit thotë: “S’kam Pasul. Eja pasdite. Do bëj Pasul për ty. Do bëj Pasul për shqiptarin e Shqipnis. Ta po ta kallëxoj një mesele: Kët restorant e kishte një serb. Un isha kuzhinieri, punëtori i serbit. Para se me ik nga frika e luftës, serbi më tha: Në varësi si shkon lufta, nëse këtu do mbetemi ne, restoranti do vazhdojë të jetë i imi. Nëse do vini ju, e gëzofsh ti, un do iki ku t’munem”.

Vajta pasdite hëngra Pasulin. Kalimin e pronësisë me besë shqiptare dhe seriozitet ballkanik nuk e harrova. Ka rënë nata. Jam nis për në Ferizaj. Në dalje të Prishtinës pyes dikë për rrugën. Më thotë:

-Nuk i di rrugët. Më intereson tjetër gjë.

-Rrugët duhesh me i dit. Ani, s’ka problem. Po. Jam gati me të nimu. Veç fol. Shqiptari i Shqipnis, shqiptarin e Kosovës nuk e len në balt, e ndihmon.

-Ma gjej një nuse pi Shqipnie. E du nga Roskoveci.

-Eja gjeje vetë nusen. Tani që Kosova u çliru, mundesh me gjet nji princesh si po ta don qefi.

-E shof që nuk po don me më gjet nuse. A ma gjen diçka tjetër…

-Gjithçka ta gjej. Krejt Shqipnin ta bi ktu. Veç fol… -Po du me ma pru pi Shqipnie nji kallashnikov.

loja. Ndoshta nëpër Çagllavicë. Ku ai që më kërkoi nuse dhe kalashnikov pi Shqipnie, pra luftë dhe përzierje gjaku, ndoshta qe serb.

Serbit të vërtetë ose budallës shqiptar nuk iu përgjigja. As nuk pyeta më për rrugën. Vazhdova drejt Ferizajt nëpër shtigje e livadhe ku më çuan rrotat e makinës dhe mendja e shkurdisur. Prishtinë. Ka kaluar 2 e natës. Kafe, çaj, muhabet. Shëtitje nëpër qytet me miq. Diku ka ndodh diçka. Patrulla e Policisë me polica shqiptarë ka ndalu një kerr. I zoti i kerrit nuk duket aspak i mrrylët se ia kanë ndal një kerr. Po qesh sikur ja kanë fal një kerr.

-Pse po qesh Zotni?

-Po qesh, dhe do qesh sa qiellin do ta gris, se i lumtur jam dhe raki do pi, se çyt kerr nuk ma ndalën shkiet, djemtë tanë ma ndalën, dhe hiç s’mërzitem dhe veç me qesh po du, edhe sikur ç’at kerr kurr mos me ma kthy.