Katari flet për përparim në kontaktet SHBA-Iran, Teherani mohon se po zhvillon bisedime me Washington-in - Gazeta Express
string(103) "katari-flet-per-perparim-ne-kontaktet-shba-iran-teherani-mohon-se-po-zhvillon-bisedime-me-washington-in"

Lajme

Gazeta Express

05/08/2026 7:41

Katari flet për përparim në kontaktet SHBA-Iran, Teherani mohon se po zhvillon bisedime me Washington-in

Lajme

Gazeta Express

05/08/2026 7:41

Katari deklaroi këtë të martë se ndërmjetësit kanë shënuar përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, edhe pse Teherani vijon të mohojë se po zhvillohen bisedime të drejtpërdrejta me Uashingtonin, siç ka deklaruar në mënyrë të përsëritur presidenti amerikan Donald Trump.

Pas këtyre zhvillimeve, dhe veçanërisht pas deklaratës së Katarit, çmimi i naftës Brent ra me rreth 4%, pasi u rikthyen shpresat se lundrimi në Ngushticën e Hormuzit mund të rikthehet së shpejti. Megjithatë, ngushtica mbetet ende e mbyllur, ndërsa një tjetër anije raportohet se është sulmuar teksa përpiqej ta kalonte.

Sipas zyrës së Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin Donald Trump, gjatë së cilës u diskutuan përpjekjet për uljen e tensioneve dhe afrimin e qëndrimeve mes SHBA-së dhe Iranit.

Një ditë më parë, Trump deklaroi se bisedimet me Teheranin kishin nisur dhe se Irani kishte një “mundësi të fundit” për të arritur një marrëveshje. Nga ana tjetër, autoritetet iraniane vazhdojnë të këmbëngulin se nuk ka negociata me SHBA-në.

Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, konfirmoi zhvillimin e bisedimeve me Omanin, të përqendruara në çështjen e Ngushticës së Hormuzit, duke i cilësuar ato si “pozitive” dhe në vazhdim.

Sipas mediave shtetërore iraniane, diskutimet janë fokusuar në përcaktimin e korridoreve të sigurta të hyrjes dhe daljes nga ngushtica. Baghaei tha se rruga që po negociohet synon të garantojë të drejtat sovrane dhe sigurinë kombëtare si të Iranit, ashtu edhe të Omanit.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë amerikanë janë shprehur optimistë për ecurinë e kontakteve diplomatike. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se shpreson që Ngushtica e Hormuzit të rihapet “shumë shpejt”, ndërsa Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha se një marrëveshje mund të arrihet edhe brenda ditës ose të mërkurën.

Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari, u shpreh se kontaktet diplomatike kanë hyrë në një fazë “shumë të avancuar”. Sipas tij, Katari, Pakistani dhe Omani po koordinojnë përpjekjet për të lehtësuar negociatat dhe shkëmbimin e propozimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Një zyrtar i lartë i sigurisë në Pakistan deklaroi se objektivi kryesor i ndërmjetësve është që të bindin të dyja palët të ulen të paktën në tryezën e bisedimeve.

Advertisement
Advertisement
Advertisement