Kastrati: Nder dhe kënaqësi të luaja në Ligën Unike - Gazeta Express

Kastrati: Nder dhe kënaqësi të luaja në Ligën Unike

Sport

Gazeta Express

21/04/2021 15:20

Liga Unike, një ëndërr për shumë shqiptarë u jetësua me turneun e Final 8 në Rahovec dhe Durrës, me skuadrat më të mira nga Kosova dhe Shqipëria.

Golden Eagle Ylli u kurorëzua me titullin e kampionit në edicionin e parë dhe historik, që njëkohësisht ishte edhe trofeu i parë në histori të klubit nga Theranda, kurse MVP u zgjodh Erjon Kastrati i Yllit.

Erjoni në çerekfinale kundër Sigal Prishtinës shënoi 10 pikë për 16 minuta, ndërsa në gjysmëfinale kundër Goga Basket kishte 10 pikë e dy kërcime për 28 minuta, kurse në finale ndaj Pejës për 33 minuta kishte 21 pikë, pesë kërcime dhe një asistim.

“Personalisht dhe si klub i kemi dhënë shumë rëndësi Ligës Unike. Ka qenë kënaqësi dhe nder i madh të radhitemi para flamurëve dhe të jemi një”, është shprehur Kastrati për faqen zyrtare të Ligës Unike.

Ai beson se kjo ligë do të ketë interesin edhe te sponsorët.

“Shpresoj dhe besoj që Liga Unike në vitet e ardhshme do të ketë rëndësi më të madhe, sepse do të ketë ndeshje shumë cilësore, po ashtu do të jetë shumë interesante edhe për sponsorët”, shtoi tutje basketbollisti i Kosovës.

Në fund foli edhe për çmimin MVP.

“Sigurisht se çmimi MVP ka rëndësi për arritjet e mia personale. Është si një shpërblim për punën dhe dedikimin që kam për basketboll, gjithashtu motiv shtesë motiv edhe për të ardhmen”, theksoi Erjon Kastrati. /Gazeta Express/