Agim Kasapolli e ka hedhur një “bombë” në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
Doajeni i gazetarisë sportive teksa po flitej për temën e aplikimit të Shqipërisë bashkë me Serbinë për ta organizuar Kampionatin Evropian U-21 në vitin 2027, i zbuloi disa prapaskena “të frikshme”.
Sipas tij, familjarët e futbollistëve nga Kosova, ishin ankuar se Federata Shqiptare e Futbollit në të kaluarën u kishte kërkuar para atyre për ta përfaqësuar Kombëtaren, shkruan “Gazeta Express”.
“Sa u përket lojtarëve të Kosovës, në fillim kanë marrë pare prej lojtarëve të Kosovës. Mu personalisht në emisionin tim më ka thënë baba i Behramit, personalisht më ka thënë që i kanë lyp pare. Xhaka po ashtu. Federata Shqiptare e Futbollit i ka lyp pare”, deklaroi Kasapolli në “Favorit”.
“Shqiptari i parë nga Kosova që ka luajtur për Kombëtaren shqiptare është Arijan Beqaj. Ka qenë portier, ka qenë edhe student atje, e ka studiu veterinarinë. Pas tij ka shku Besnik Hasi, dhe më pas kanë shku rresht të tjerët. E kur kanë shku rresht, kanë marrë pare. Këta nuk e pranojnë, por kanë marrë pare. Ku është këtu patriotizmi? Kush është këtu gabim? Kjo do të thotë, këta vetëm premtojnë e kurgjo s’përmbushin”, vazhdoi gazetari shumëvjeçar i sportit.
Për ta parë të plotë emisionin “Favorit” në T7 mund të klikoni më poshtë. /Gazeta Express/