Kasami e ka uruar Ahmetin për fitoren e arritur - Gazeta Express

Kasami e ka uruar Ahmetin për fitoren e arritur

Maqedoni

Gazeta Express

16/07/2020 15:40

Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami e ka uruar Ali Ahmetin për fitoren në zgjedhjet e djeshme parlamentare.Këtë e konfirmoi sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha, në konferencë për shtyp.


I pyetur nga gazetarët se a do të shkojnë në tryezën e ftuar nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti për ta diskutuar çështjen e kryeministrit shqiptar, Hoxha tha se “tani për tani kryetari i partisë Biilall Kasami e ka uruar Ahmetin për fitoren në zgjedhje te blloku politik shqiptar” dhe kanë pasur një komunikim.

Përndryshe Arianit Hoxha njoftoi se Lëvizja BESA në zgjedhjet e 15 korrikut ka fituar 4 deputetë dhe sipas tij, këto deputetë e kanë bërë fitues koalicionin e tyre LSDM, karshi opozitares VMRO-DPMNE, raporton Portalb.mk.

“Ne arritëm që të dyfishojmë numrin e mandateve, në këto zgjedhje do të kemi 4 deputetë të Lëvizjes BESA. Pjesëmarrja e Lëvizjes BESA në koalicionin “Mundemi” e bëri diferencën dhe e siguroi fitoren. Mandati LSDM-BESA do të jetë mandat qeveritar në 4 vitet e ardhshme. Tërë përkushtimi ynë është që ta vazhdojnë rrugën e eurointegrimeve, duke mbështetur me BE-në dhe SHBA-në”, tha Hoxha.

I pyetur në lidhje me atë se a do të koalicionojnë me BDI-në, ai tha se ende nuk është përfunduar procesi i numërimit të votave dhe nuk deshi të “paragjykojë” se çfarë do të vendosin në periudhën e ardhshme.

Në lidhje me atë se pse nuk kanë qenë në festën e mbrëmshme të LSDM-së, Hoxha tha se, kanë qenë të ftuar, por se për shkak se ata e kanë udhëhequr Njësinë Zgjedhore 6 dhe janë marrë me mbledhjen e rezultateve nuk kanë mundur të shkojnë.