Kasami akuzoi ambasadorin e Shqipërisë për “rrëshqitje partiake”, Meidani: Veprimet e mia janë krejtësisht institucionale - Gazeta Express
string(117) "kasami-akuzoi-ambasadorin-e-shqiperise-per-rreshqitje-partiake-meidani-veprimet-e-mia-jane-krejtesisht-institucionale"

Maqedoni

Gazeta Express

12/02/2026 12:26

Kasami akuzoi ambasadorin e Shqipërisë për “rrëshqitje partiake”, Meidani: Veprimet e mia janë krejtësisht institucionale

Maqedoni

Gazeta Express

12/02/2026 12:26

Një nga liderët e koalicionit VLEN dhe kryetar i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka deklaruar se brenda koalicionit ka pasur kritika lidhur me takimin e tij me ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, i cili në të njëjtën ditë u takua edhe me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. Në emisionin “Click Plus” në TV21, Kasami tha se, pavarësisht kritikave, ai nuk mund të refuzojë një takim me ambasadorin e një shteti, “më së paku të Shqipërisë”, por theksoi se i ka sugjeruar ambasadorit që të mos përfshihet në debate politike-partiake në vend, transmeton Portalb.mk.

“Pranoj që kam pasur kritika brenda VLEN-it për takimin, duke e lexuar ashtu siç e lexoni ju, por unë nuk mund të refuzojë takim me ambasadorin e një shteti, në këtë rast më së paku të Shqipërisë, pa marrë parasysh rolin që në momente të caktuara ai po mundohet ta marrë në skenën politike, të cilën ia kam thënë edhe në takim edhe në shumë raste, se ai duhet të përfaqësojë shtetin shqiptar dhe të mbrojë të drejtat e shqiptarëve konform Kushtetutës dhe të mos futet në këto debate politike-partiake këtu te ne”, deklaroi Kasami.

Ai shtoi se Meidani i ka përcjellë kërkesë për takim me Ali Ahmetin, që sipas kreut të Lëvizjes Besa, nuk duhet të vijë nga një ambasador. Sipas tij, shqetësimi në një pjesë të strukturës së VLEN-it lidhet me faktin se ambasadori, brenda së njëjtës ditë, ka realizuar takime fillimisht me ministrin e Shëndetësisë, më pas me të dhe në fund me Ali Ahmetin.

“E kemi biseduar edhe në takim se ka përcjell kërkesën e mundshme të z.Ahmeti për takim, që ndoshta unë nuk e vlerësoj se ndoshta do të ishte kërkesë që duhet të vijë nga një ambasador, por sidoqoftë, kjo që e thoni ju është shqetësim i një pjese të madhe të strukturës së VLEN-it se ambasadori edhe me takimin atë ditë fillimisht me ministrin e Shëndetësisë, pastaj me mua dhe më në fund me z.Ahmeti, kur më herët z.Taravari akuzoi se një ndër ata që kanë biseduar me z.Ahmeti për të qenë pjesë e projekti të BDI-së, ka qenë edhe z.Azir Aliu, pra po duket se, apo po lexohet nga disa që ambasadori në momente të caktuara po rrëshqet në drejtim të një ideje partiake apo politike që nuk do të duhej të jetë”, shtoi Kasami.

Pas këtyre deklaratave, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka reaguar përmes një sqarimi publik, duke theksuar se veprimet e Ambasadës kanë qenë krejtësisht institucionale.

“Në kuadër të vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ambasada e Republikës së Shqipërisë ka përcjellë, në emër të Presidentit, kërkesën për organizimin e një takimi në ambientet e Kuvendit me kryetarët e partive parlamentare shqiptare”, thuhet në reagim.

Sipas Meidanit, bëhet fjalë për një veprim në përputhje me protokollin diplomatik dhe praktikën e zakonshme të organizimit të takimeve në nivel të lartë.

“Çdo interpretim tjetër që i atribuon këtij procesi motive apo qëllime të ndryshme nga ato zyrtare është i pabazë. Ambasada mbetet e përkushtuar ndaj korrektësisë institucionale, transparencës dhe respektit për të gjitha palët”, thuhet më tej në reagim.

Advertisement
Advertisement
Advertisement