Karvani Shëndetësor “Përshëndetje” ndaloi këtë mëngjes në fshatin Harilaq, duke sjellë shërbime dhe këshilla të dobishme për banorët e zonës. Iniciativa, e cila synon të promovojë kujdesin për shëndetin dhe vetëdijësimin për stilin e jetesës së shëndetshme, u prit me entuziazëm nga qytetarët.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, i cili u shpreh mirënjohës për përkushtimin e ekipit mjekësor dhe organizatorëve të këtij aktiviteti.
“Ky aktivitet solli energji pozitive dhe këshilla të vlefshme për qytetarët tanë, duke na kujtuar se kujdesi për shëndetin nis nga vetja dhe nga zgjedhjet e përditshme që bëjmë,” u shpreh Osmani.
Ai falënderoi veçanërisht stafin shëndetësor të QKMF-së në Fushë Kosovë për punën e tyre të palodhshme dhe angazhimin në ofrimin e shërbimeve si matjet shëndetësore, këshillat profesionale dhe informatat për jetesë më të shëndetshme.
“Të investojmë në shëndet do të thotë të investojmë në një të ardhme më të mirë për qytetin tonë. Do të jem gjithmonë përkrah nismave që sjellin vlera të tilla për komunitetin dhe që fuqizojnë secilin prej nesh të jetojë më shëndetshëm,” shtoi ai.