Bota e futbollit deri tash i ka njohur dy kartonë: i verdhi dhe i kuqi.
Ndonëse flitej për përfshirjen e një kartoni ngjyrë portokalli, i cili ishte mes të verdhit dhe të kuqit, për ta përjashtuar përkohësisht një futbollist, një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.
Por, në sportin e luajtur me këmbë së fundmi është futur një rregull i ri nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit – FIFA, shkruan “Gazeta Express”.
Bëhet fjalë për “kartonin e gjelbër”, i cili është futur në përdorim në ndeshje zyrtare në Kupën e Botës U-20, e cila po mbahet në Kil.
Në fakt, ky karton ua jep të drejtë trajnerëve dhe kapitenëve që ta kërkojnë rishikimin e një vendimi diskutabil përmes sistemit – VAR.
Një gjë e tillë ndodhi në duelin mes Marokut dhe Spanjës kur trajneri maroken, Mohamed Ouahbi e përdori të drejtën e “kartonit të gjelbër” në fund të takimit kur gjyqtari dha penallti në dëm të ekipit të tij.
Dhe, pas rishikimit me VAR u ndryshua vendimi dhe u anulua 11 metërshi, ndërsa futbollisti spanjoll u zverdh për simulim.
Gjatë një ndeshjeje, trajneri apo kapiteni ka të drejt ta përdor një herë në pjesëlojë këtë të drejtë dhe atë vetëm në raste specifike si penalltia e mundshme, goli diskutabil, kartoni i kuq apo identiteti i gabuar i lojtarit.
“Kartoni i gjelbër” në fakt mund të krahasohet me termin “sfidë” që përdoret në sportet tjera amerikane ku rishikohen rastet kyçe dhe vendimtare me kërkesë të një ekipi.
Mbetet të shihet nëse ky rregull do të futet edhe në ligat evropiane dhe në eventet e rëndësishme të FIFA-s e UEFA-s për seniorë. /Gazeta Express