Karikatura sipas Theofrasit apo demofobë sipas Frederikut - Gazeta Express
string(57) "karikatura-sipas-theofrasit-apo-demofobe-sipas-frederikut"

Karikatura sipas Theofrasit apo demofobë sipas Frederikut

Gazeta Express

29/01/2020 10:22

Albini Kurti paska frikë nga pushteti. Isa Mustafa qenka grykës. Janë këto vërtet teza serioze analizash apo problemet qëndrojnë diku më thellë? Nëse nuk janë frikacakë dhe nuk e kanë për poste e më shumë pushtet, atëherë në mos shpresojnë në bankrotimin e shtetit dhe flakjen edhe të resurseve të fundit që i kanë mbetur vendit? Në këtë fazë çdo spekulim duket i kripshëm për publikun. As fytyrat e acaruara të zonjave e zotërinjve të Quint-it nuk patën efektin e pritur aurativ.

Xhemal AHMETI

Lexo Edhe:

Në fillim konflikti dukej të buronte nga lufta për privilegjin se kush do ta propozonte presidentin e ardhshëm. Pastaj militantët e të dyja palëve polemizonin se kujt i takonin ministritë e brendshme dhe të jashtme. Pozita e kryetarit të Kuvendit nuk diskutohej fare – ajo perceptohej si nyje e zgjidhur. Ai post thuhej t’i përkiste LDK-së. Doli perceptim i huqur. Pikërisht në çastin kur besohej, negociatat të lëvizin drejt finalizimit të një marrëveshjeje, dyvëshat pa paralajmëruar askënd, zgjodhën kryeparlamentarin. Ky hap i Kurtit u lexua nga koalicionari eventual dhe opinioni si demonstrim pushteti, në trajtën: «merreni vesh njëherë se kush është i Zoti i shtëpisë, kush kollitet këtu nga kjo ditë e tutje».

APORIA

Në trajtën e klimax-it mesazhi u dekodua në ultimatumin: «po deshe merre, po s’deshe lere»! Reagimi ishte i pritshëm dhe i njëjtë: «ta shohim pra kush dorëzohet, kush ka nerva ta shtyjë deri në fund». S’ka marrëveshje. S’ka Qeveri ashtu siç e dëshiruan votuesit e tyre dhe shumica e mediave dhe pjesë modeste të shoqërisë civile.

Çka do të ndodh tash?

Askush nuk e dëshiron këtë gjendje: Kundërshtarët politikë mezi presin të bëhet qeveria me dy pretendentët aktual. Jo se besojnë se ajo do zgjidhte probleme, porse sikur janë të sigurt se ajo do dështojë. Dhe pasi të dështojnë ata, kundërshtarët, do të mund të kthehen në skenë, madje të regjeneruar dhe plus me një opozitë të degraduar në skenë, së cilës nuk do t’i besonin më as militantët më të zjarrshëm të saj e lere tjerët. Kundërshtarët jopartiakë, ndërkaq shpresojnë se me dështimin e Qeverisë së kësaj formule, do të zbehej dukshëm populizmi si kryemjet i politikës në shtetin me delegim të fuqishëm ekstern.

Momentalisht ka disa alternativa – nëse dështon ky koalicion:

1. LDK të bëj Qeverinë me tjerë.

2. Të sajohet një Qeveri e arnuar me parti minore si ajo që shkoi.

3. Të shkohet në zgjedhje.

Për t’u përballur me të njëjtën gjendje? Jo. Partitë nuk do përmendin më vijat e kuqe. Çështja është se a e ka luksin Kosova edhe për një palë zgjedhje, gjersa pas perdeve i kontrabandohen asaj hekurudhat, tokat, ajri e uji; a mundet ajo të vazhdojë me dasma elektorale përderisa pa legjitimitetin e institucioneve të saja ka nisur dialogu me Serbinë dhe ec turbo drejt një krizë të re të brendshme? A ia vlen këmbëngulja e ndonjë partie për një post apo për një mosdorëheqje në këto kushte e zhvillime?

DEMOFOBIA

Kur e pyetëm një të shkolluar dhe apartiak që ka votuar për opsionin në negociim, si përgjigje na e dërgoi këtë fjali: «Është detyra e çdo sundimtari të bëjë çmos për t’i mbajtur masat e tij në mjerim. Këtë e bëjnë liderët tanë, pa dallim nga njëri tjetri». Lexuesi i sfiduar letrarisë universale e vëren se fjalia e parë e përgjigjes është një citat i flasifikuar i Frederikut të Madh, nga letra e tij e datës 8 janar 1739 drejtuar Volterit. Në letër qëndron e kundërta. Megjithatë fjalia e autorit të ditëve tona qëndron: është diagnoza që shpalon perceptimin dhe ndiesinë e shumë njerëzve që kanë votuar opsionin LDK-LVV. Shumica e tyre ndihet e nënçmuar, e tallur, e intriguar. Atyre më të vërteta se fjalitë idealiste të lartëcituara të Frederikut u duken ca fjali tjera të perandorit si më të saktat.  Ato ku ai shkruan: «Më tepër se tre të katërtat e masave janë të predestinuara për skllavërim ndaj […] fanatizmit. Masat e species sonë janë idiote dhe të këqija». I besojnë më shumë këtij konstatimi të zhgënjyerit, ngase vetëm ata që i trajtojnë masat nga kjo perspektivë, siç e elaboron filozofi monark, në letrën tjetër, 21 vite më vonë drejtuar Volterit (31 tetor 1760) mund të sillen në mënyrën siç sillen liderët e dy partive ndaj elektorateve të tyre e ndryshe jo.

Natyrisht se jo gjithë votuesit ndihen kaq në dramë. Të zhgënjyer, të intriguar, të keqpërdorur shprehen mirëpo shumica absolute, patjetër aktualisht duke drejtuar mllefin tek Tjetri që nuk nënshtrohet e jo tek vetja. Më vonë do ta gjejnë edhe veten: vetëzbulimi si fajtor është faza e fundit e çdo vetëdijësimi objektiv.

Cila alternativë do të befasojë masat në orët, mëngjeset apo mbrëmjet që vijnë? Asnjëra alternativë. Masat tashmë gjenden në modusin që nuk i huton asnjë recetë e dy partive në negociim. Kokëfortësia e tyre për postet, përballë sakrifikimit të shoqërisë për ta sjellur këtë opsion si të mundshëm, është tragjike, fyese dhe pa druajtje politikave të katgeorisë mund t’iu citohet ajo sentenca latine që Montaigne e sjell në eseun e tij «Ndërgjegja. Dhe pasojat» e që thotë: Vitasque in vulnere ponunt [shqip: në Plagët që ju shkaktoni, do të humbni jetën]. Jo jetën individuale assesi, por atë morale posepo. Ose ndodh e kundërta nëse masat vërtetë janë ashtu siç i zhvlerëson Frederiku i Madh.

FRIKA

Apo gjitha këto që rrenditëm lartë si formacionin e një konglomerati përshtypjesh të mbledhuar mediave të ndryshme s’janë gjë tjetër veçse pandehje shpirtëliga dhe se vërteta e dështimeve qëndron diku tjetër? Disa thonë se në thelbin e kësaj zhagitjejte maratonike nuk janë vërtetë postet e përfolura por frika. Kurti – kështu një bataljon analistësh – ka frikë ta marrë pushtetin në këtë fazë kur do duhet të hiqen taksat, të pranohet stili klandestin i dialogut me Serbinë dhe tjera si këto. Për shumë arsye kjo dignaozë s’mund të qëndrojë: Isa Mustafa është politikisht me aq përvojë saqë askush nuk i beson kësaj teze. Ai ka qenë akter edhe në procese shumë më të rrezikshme se këto dhe i ka kaluar duke mbijetur deri sot në politikë. Në bazë të psikogramit të tij ai nëse do kishte frikë, atëherë ndaj skenarit ta lë përfundimisht LDK-në në opozitë, të përçarë, të shkatrruar siç e gjeti para se ta rikthente ndër fuqitë më të mëdha politike në vend. Albin Kurti ka një nivel inteligjence politike që mund të shkaktojë probleme të mëdha për shtetin dhe shoqërinë për shkak të guximit të tepruar dhe fiksimit në idealet e tij shpesh jopragmatike për sistemin e koklavitur neoliberalist, por për frikë as që mund të diskutohet. Pikërisht për shkak të këtij kombinimi mund t’iu thuhet kundërshtarëve të tyre, mos u gëzoni parakohe se ndodh nuk dështon kjo qeveri, por befason pozitivisht.  Nuk është frika? Postet s’mund të jenë përballë rrezikut që shteti ec drejt bankrotimit; shteti ec drejt marrëveshjeve që asnjëherë s’mund të jenë pozitive për Kosovën sot e nesër – thesjhtë edhe për faktin se nesër do bëhen kauza të opozitës dhe do cilësohen si tradhti?

Arsyet e bllokadës duhet analistët t’i kërkojnë diku tjetër, jo tek frika dhe tek postet. Po ku tjetër se?