Pas shortit të plejofit për Botërorin 2026, kapiteni i Sllovakisë, Milan Shkriniar, ka reaguar me lëvdata për Kosovën, kundërshtaren e tyre në gjysmëfinale.
Qendërmbrojtësi i njohur, i cili ka ndërtuar një karrierë të pasur në Evropë duke luajtur për klube si Sampdoria, Inter, PSG dhe tani Fenerbahçe, theksoi se asnjë nga ekipet e plejofit nuk është i dobët.
“Nga të gjithë katër kundërshtarët ka qenë e pamundur të gjendej një ekip me më pak kualitet. Të gjitha janë skuadra të balancuara. Kosova ka bërë kualifikime të shkëlqyera dhe nuk do ta kemi lehtë,” u shpreh Shkriniar për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Sllovakisë, shkruan Gazeta Express.
Ai shtoi se përparësia kryesore për Sllovakinë do të jetë atmosfera në shtëpi, e cila mund të luajë rol vendimtar në këtë duel të vetëm.
“Ambientin në shtëpi e kemi avantazh. Me stadium të mbushur plot, do të japim 100 për qind dhe do të përjetojmë mbrëmje magjike. Bashkë me tifozët tanë, jemi të bindur se do të afrohemi drejt synimit të madh,” tha kapiteni sllovak.
Shkriniar e mbylli me një mesazh të qartë:
“Shihemi në mars!”
Përballja mes Sllovakisë dhe Kosovës pritet të jetë një nga ndeshjet më interesante të plejofit evropian, me të dyja skuadrat që kërkojnë biletën e artë drejt Botërorit 2026. /GazetaExpress/