Portieri i Kosovës dhe Torinos, Samir Ujkani, është solidarizuar me protestuesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër racizmit dhe brutalitetit policor. E gjithë skuadra e Torinos u ul në gjunjë, përderisa kapiteni i Kosovës e publikoi këtë fotografi në rrjetet e tij sociale.
I riu amerikan me ngjyrë, George Floyd, vdiq javën e kaluar në Minneapolis pasi Derek Chauvin, një polic i bardhë, i cili ia mbajti gjurin mbi qafë për më shumë sesa tetë minuta, transmeton Gazeta Express.
Chauvin, i cili u shkarkua nga detyra si polic të martën, u arrestua të premten dhe ndaj tij u ngrit akuzë për vrasje të rangut të tretë.
Vdekja e Floyd ka ngjallur protesta gjatë gjithë javës së kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë vazhduar edhe këtë javë. Protestuesit po kërkojnë që të arrestohen edhe tre policët e tjerë që ishin në vendin e ngjarjes dhe që nuk kishin ndërhyrë për ta ndalur kolegun e tyre, Chauvin.
E përkrahje për këto protesta kundër racizmit dhe brutalitetit policor kanë shprehur sportistë të shumtë edhe nga jashtë SHBA-ja, në mesin e të cilëve është edhe ylli i Kosovës dhe Torinos, Samir Ujkani.
Fillimisht, Liverpooli tregoi përkrahje për protestat në SHBA duke e postuar një fotografi nga stërvitjet, ku të gjithë lojtarët ishin ulur në gjunë, veprim ky i identifikuar me lëvizjen “Black Lives Matter” (në shqip: Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi).
Një veprim të ngjashëm me Liverpoolin tani e ka bërë edhe skuadra e Torinos, përderisa Ujkani e publikoi fotografinë në llogarinë e tij në Instagram, duke e shoqëruar atë me mbishkrimin “Jo racizmit”. /Gazeta Express/
A jeni gati për shpërblimin më të madh në vend nga ETC, Lider i shërbimit dhe tregtimit në vend....