Dogana bullgare ka sekuestruar kokainë dhe ar me vlerë mbi 1.430.000 euro në pikën kufitare “Kapitan Andreevo”.
Lëndët narkotike u zbuluan në kabinën e një kamioni që transportonte lule nga Holanda drejt Turqisë.
Sipas disa pamjeve të transmetuara në lajmet e televizionit bullgar B TV, në një pjesë të videos dyshohet se kamioni mund të jetë i regjistruar në Kosovë. Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet lidhur me këtë dyshim.
Zbulimi sipas mediumit bullgar, është bërë me ndihmën e qenit të specializuar të doganës, Krum, i trajnuar për të nuhatur substanca narkotike. Pas kontrollit me rreze X, janë identifikuar zona të dyshimta në kabinën e mjetit. Gjatë kontrollit fizik janë gjetur 10 pako me substancë pluhur që ka reaguar pozitivisht ndaj testit për kokainë.
Po ashtu, gjatë kontrollit personal të shoferit – shtetas turk – në xhepat e xhaketës së tij janë zbuluar tre pako me metal të verdhë, që rezultoi të ishte ar me peshë mbi 5 kilogramë.
Autoritetet doganore deklaruan se kjo është hera e parë që në të njëjtin rast kapen njëkohësisht drogë dhe ar.
Në hetim është përfshirë edhe struktura bullgare kundër krimit të organizuar. Përveç shoferit, janë ndaluar edhe dy persona të tjerë, ndaj të cilëve janë ngritur akuza për bashkëpunim në trafik droge.
Pika kufitare “Kapitan Andreevo” aktualisht disponon katër qen të trajnuar, të cilët përdoren për zbulimin e drogës, valutës së padeklaruar dhe cigareve kontrabandë.