Kapet në Kolumbi “Kimisti”/ Pjesë e grupit që transportonte dhe përpunonte kokainën në banesën e ish-kreut të komunës në Frakull - Gazeta Express
string(125) "kapet-ne-kolumbi-kimisti-pjese-e-grupit-qe-transportonte-dhe-perpunonte-kokainen-ne-banesen-e-ish-kreut-te-komunes-ne-frakull"

Shqiperi

Gazeta Express

05/09/2025 15:16

Kapet në Kolumbi “Kimisti”/ Pjesë e grupit që transportonte dhe përpunonte kokainën në banesën e ish-kreut të komunës në Frakull

Shqiperi

Gazeta Express

05/09/2025 15:16

Një nga anëtarët e grupit kriminal që merrej me përpunimin dhe transportimin e kokainës në Frakull të Fierit është vënë në pranga në Kolumbi. Bëhet fjalë për shtetasin kolumbian Samir Rosales Rodríguez, i njohur me pseudonimin “Kimisti”.

Policia e Shtetit njoftoi se arrestimi u realizua falë shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve shqiptare, kolumbiane dhe atyre ekuadoriane, përmes koordinimit me Interpolin. Rodríguez akuzohet se ishte i përfshirë në përpunimin e drogës në banesën e ish-kreut të komunës Frakull, Viktor Çervanaku, ku u zbulua një laborator i përshtatur posaçërisht.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit të Posaçëm kishte konfirmuar dënimet për 10 anëtarë të grupit, mes tyre ish-kryetari Çervanaku me 10 vite burg, djali i tij Denilson Çervanaku me 11 vite e 4 muaj, si dhe të afërmi i tyre Zenel Çervanaku me 9 vite e 4 muaj. Në total, grupi trafikoi 485 kilogramë kokainë të ardhur nga Kolumbia, e fshehur në thasë me pleh kimik.

Sipas hetimeve të SPAK, grupi ngriti një kompani të tregtimit të plehrave kimike si mbulesë për aktivitetin, ndërsa sasia e drogës u soll nga porti i Pireut në Tivar dhe më pas në Shqipëri. Kokaina do të përpunohej në laboratorin e improvizuar në Frakull, me ndihmën e ekspertit të huaj tashmë të arrestuar.