Kapërcimi i ylberit nga Liburn Aliu - Gazeta Express
string(35) "kapercimi-i-ylberit-nga-liburn-aliu"

Kapërcimi i ylberit nga Liburn Aliu

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

06/06/2022 15:40

Nuk e konsideroj politikën si veprimtari statike, dmth ajo evoluon dhe ndërron formë shpesh, natyrisht as ortodoksi në mendime e veprime, megjithatë kjo sjellje e tillë është kalim në skajin tjetër të ideologjisë. Liburn Aliu ka kapërcyer Ylberin. Ai ka ndërruar gjini ideologjike

Shkruan: Fisnik Dragusha

Metafora e kapërcimit të ylberit nënkupton ndërrimin e gjinisë/seksit, dhe simbolika e saj shkon përtej ndërrimit të seksit, ajo ka të bëjë me ndërrimin radikal në qëndrime, në vështrime dhe në sjellje. Si e tillë, ajo përdoret mjaft gjer për t’i përshkruar situatat e ndryshme të njerëzve të ndryshëm. Në kontekstin tonë politik, në qeverisjen aktuale nuk është e vështirë të konstatojmë apo ta gjejmë se kush e ka kapërcyer ylberin. Ai është ministri i qeverisë Kurti, z. Liburn Aliu, një eksponent shumë i rëndësishëm i kauzes për drejtësi sociale, i cili angazhohej për ndërgjegjësimin e përgjithshëm ndaj pabarazisë. I drejtohem me emër te përveçëm me shpresë se është rast i izoluar brenda kabinetit qeveritar dhe se sjellja e tij është jo domosdoshmërisht reflektim i kursit qeveritar. Me intervistën e fundit ai u mundua të sqaroj një pretendim për keqpërdorim brenda ministrisë së tij, e në këtë rremujë ai veçse i hoqi dilemat bazë të orientimit dhe veprimit politik.

I përfolur për kohë të gjatë, madje edhe në perceptimin e opinionit publik gjithnjë është parë me një dozë dyshimi për shkak se qysh në krye të herës e pati  punësuar motrën e tij në Odën e Mjekëve të Kosovës.  Liburn Aliu në media filloi të zë vend edhe në rubrikën rozë, duke ngjasuar me biznesmen dhe yje të medias & filmit, për shkak të blerjes së shtëpisë në lagjen luksoze Marigona Hill. Në kohën e karantinimit të plotë përflitej se djali i Liburn Aliut, i sapoardhur nga ShBA, nuk ishte karantinuar ne qendrën e studentëve, në kohën kur të gjithë duhej t’i nënshtroheshin rregullit të izolimit dyjavor të percaktuar nga Ministria e Shendetësisë. Liburn Aliu, femijët e tij i kishte shkolluar ne institucione private, madje elitare. Kontekst i mjaftueshëm!

Morali i këtij kapercimi është pikërisht te hipokrizia e thellë e ministrit në fjalë, që gjithë aktivitetin e tij politk e kishte nisur nga motivet e një barazie në mundësi e në shansë, ideali i tij ishte për një shoqëri egalitare, ku nepotizmi si fenomen do t’i takonte një epoke dekadente, dhe gjitha thirrjet e aktiviteti i tij politk e tij ishin që të braktisen këto forma arkaike të organizmit shoqëror e politik, duke perkahur politika progresiste ku nuk do të kishte diskrepancë kaq të thellë shoqëror. 

Përbrenda diskursit politik – publik të z. Aliut ishte një përqeshje madje cinike kundrejt mbylljes  nëpër lagje luksoze dhe shmangies së kontaktit  dhe rutinës me gjithë qytetarët e këtij vendi. Për ligjërimin e tij , ata ishin të vetpërjashtuarit sa që shiheshin me një sy thuajse perçmues. Ndodhi 14 Shkurti, z, Aliu mori besimin qytetar për të “bashkëqeverisur “ me popullin, duke bashkëndjerë me ta. Ndodhi një metamorfozë në sjelljen e tij e qëndrimet pak kanë rëndësi. 

Në prill të ketij viti z, Aliu nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin UBT, jë kolegj privat, “ku riprodukoheshin elitat”, e ku është edhe vet ligjërues dhe  merr një pagë të majme. Në këtë formë edhe e nxjerr në plane të dytë Universitetin publik te Prishtines. 

Pa asnjë paragjykim për përgatitjet intelektuale të motrës së tij, megjithatë punësimi në institucione publike, si shfrytëzim i influences, është rikthim në mënyrën e qeverisjeve të kaluara. Shtepia në lagjen Marigona Hill, me gjithë koston materiale  dhe duke supozuar se gjitha mjetet janë legale, është prapë  braktisje e pastër ndaj bindjeve dhe idealeve të majta, proklamuar për vite. Ndërsa shkollimi i djemve të tij në ASK dhe AUK, perçon mesazhin se nuk ka as sinqeritet në qasje karshi të mirës së përbashkët dhe se sistemi arsimor duhet të pres edhe disa vite kohë për atë që quhet reformë rrënjësore në mënyre që të denjohet si shkollë për djemtë e kabinetit qeveritar. 

Nuk e konsideroj politikën si veprimtari statike, dmth ajo evoluon  dhe ndërron forme shpesh, natyrisht  as ortodoksi në mendime e veprime, megjithatë kjo sjellje e tillë është kalim në skajin tjetër të ideologjisë. 

Liburn Aliu ka kapërcyer Ylberin. Ai ka ndërruar gjini ideologjike. 

/Gazeta Express