Tre shqiptarë të përfshirë në ngjarje të rënda kriminalë janë arrestuar në Dubai, në kuadër të operacionit “The Wanted”. Në pranga janë vënë Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, përkrahës të të shumëkërkuarit Talo Çela.
Ervis Daka, 38 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Daka ka informuar autorët që kanë tentuar të vrasin një person për lëvizjet e tij dhe ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e një personi tjetër. Gjithashtu ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, Talo Çelës.
Maksim Koçi, 39 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Koçi ka marrë pjesë në dy vrasje dhe ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e dy të tjerëve. Ai ka ndihmuar Çelën për tu fshehur.
Ado Xhika, 40 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se për rreth 2 vjet, ka ndihmuar Çelën duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë dhe ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e tij.