Ndeshja e dytë e plejofit për mbijetesë në Serie B mes Salernitanës dhe Sampdorias u ndërpre të dielën, pasi tifozët vendas hodhën tymuese dhe ulëse në fushë.
Sampdoria ishte duke udhëhequr 2-0 kur loja u ndërpre fillimisht në minutën e 65-të, për shkak të hedhjes së objekteve nga tribuna. Loja rifilloi për pak çaste, por përfundimisht u braktis për shkak të skenave kaotike në stadiumin “Arechi”.
Sipas mediave italiane, pritet që Sampdoria të fitojë ndeshjen me rezultat zyrtar 3-0, çka do të sigurojë fitoren e përgjithshme 5-0 dhe shpëtimin e klubit nga rënia në Serie C.
Drejtori ekzekutiv i Salernitanës, Maurizio Milan, konfirmoi në konferencë për media se klubi do të zbresë në ligën e tretë.
“Shpresuam të rifillonim nga Serie B, por do ta bëjmë nga Serie C,” tha ai.
“E dimë shumë mirë që kategoria e tretë është shumë e vështirë. Do të nisemi menjëherë nga e para, duke mësuar nga gabimet tona.”
Sampdoria, kampione e Italisë në vitin 1991, fillimisht kishte rënë në Serie C për herë të parë në 78 vite histori, por u shpëtua në fund të sezonit pasi Brescia u ndëshkua me heqje pikësh për parregullsi financiare, duke i lënë ata në plejof.
Salernitana gjithashtu kishte pësuar një goditje para ndeshjes së dytë, pasi ekipi u prek nga helmimi ushqimor, gjë që shkaktoi shtyrjen e takimit pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë në fushën e Sampdorias.