Nata e Bernabeut nuk dhuroi vetëm spektakël në fushë, por përditësoi edhe renditje historike që e tregojnë madhështinë e protagonistëve.
Me golat e shënuar në ndeshjen e parë të çerekfinaleve, Harry Kane dhe Kylian Mbappé e vazhdojnë ngjitjen e tyre mes golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në kompeticionet evropiane.
Anglezi shkon në kuotën e 75 golave, duke iu afruar legjendarit Raúl González, ndërsa francezi arrin në 70 gola dhe e barazon Filippo Inzaghin, përcjell “Gazeta Express”.
Para tyre mbeten emra ikonë: Cristiano Ronaldo kryeson me 145 gola, i ndjekur nga Lionel Messi (132), Robert Lewandowski (117) dhe Karim Benzema (92).
Një renditje që përfshin epoka të ndryshme, por me të njëjtin fill të përbashkët: aftësinë për ta bërë diferencën në netët që kanë rëndësi.
Por ka edhe një tjetër e dhënë që e lartëson edhe më shumë sezonin e Mbappé.
Me shifrat aktuale, ylli francez hyn në një rreth shumë të ngushtë lojtarësh që kanë arritur t’i shënojnë të paktën 14 gola në një edicion të vetëm të Kupës së Kampionëve/Champions League.
Një klub ekskluziv që përfshin emra legjendarë si José Altafini, Ruud van Nistelrooy, Leo Messi, Cristiano Ronaldo (që e ka arritur këtë madje tri herë), Lewandowski dhe Benzema.
Shifra që e konfirmojnë një gjë: Mbappé është e tashmja absolute e futbollit evropian.
Dhe, duke gjykuar nga ritmi, shumë shpejt edhe historia mund t’i përkasë atij. /Gazeta Express