string(115) "kane-dashur-edhe-te-me-vrasin-i-demtuari-flet-per-shumat-e-borxhit-qe-pretendon-se-i-mori-me-fajde-nga-te-akuzuarit"

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 10:38

“Kanë dashur edhe të më vrasin”, i dëmtuari flet për shumat e borxhit që pretendon se i mori me fajde nga të akuzuarit

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 10:38

Në Gjykatën Themelore në Pejë- Dega në Istog, të mërkurën është dëgjuar i dëmtuari Rifat Jasiqi në rastin ku Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Shërbim Berisha dhe Isuf Thaqi akuzohen për fajde. Jasiqi dëshmoi për shumat që pretendon se i kishte marrë si borxh me fajde nga të akuzuarit, teksa tha se kishte presion nga disa prej tyre për pagesën e borxhit me fajde.

Sipas procesverbalit të seancës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi” , thuhet se i dëmtuari Rifat Jasiqi deklaroi se nga viti 2018 nuk punon asgjë për shkak të problemeve me fajde. Tha se biznesin e kishte mbyllur nga frika ndaj të pandehurve të cilët i kishin dhënë para me fajde.

Sipas tij, në periudhën 2013-2018, gjendja e tij ekonomike ishte e dobët për shkak të pagesave të mëdha që i kishte bërë për fajde dhe humbjeve që kishte pësuar nga ato.

Sipas procesverbalit, ai tha se të akuzuarin Arbër Gashi e njeh nga viti 2014, për të cilin kishte njohuri se jep para me fajde- dhe se vetë i dëmtuari kishte nevojë atë kohë për para.

Jasiqi tha se kishte kontaktuar në telefon me tani të akuzuarin Gashi dhe i njëjti i kishte shkuar në zyrë. Tha se herën e parë i kishte marrë 6 mijë euro në emër të fajdesë, e që për to ishte dakorduar të paguante nga 500 euro çdo muaj.

Për këtë shumë, tha se u detyrua t’i paguante 2 mijë euro për fajde, kurse borxhin kryesor nuk e kishte paguar.

“Përkatësisht, nga i pandehuri Arbër Gashi në total kam marrë para me fajde në shumë rreth 10 mijë euro nëse i mbledhim në tërësi, ku për këtë shumë fajde kam paguar rreth 15 mijë euro, ndërsa borxh kryesor prej këtyre 10 mijë kam paguar shumën prej 6 mijë euro”, citohet të ketë deklaruar Jasiqi, duke shtuar se qëndron pranë deklarimeve të dhëna në Prokurori.

Kurse, të akuzuarin Ajet Kuqi tha se e njeh nga fëmijëria. Kur kishte nevojë për 10 mijë euro, tha se ia kërkoi, e të cilat tha se ia dha me fajde 8%, pra 800 euro në muaj. Tha se pagoi rreth 5 mijë e 600 euro fajde, kurse borxh jo.

Edhe nga i akuzuari Xhevdet Cacaj, tha se ka marrë fajde disa herë. Në total, nga ai tha se mori 10 mijë euro me 10% të fajdesë. Nga kjo, tha se borxh kryesor ka paguar 5 mijë euro, ndërsa fajde 4 mijë.

Në anën tjetër, të akuzuarin Idriz Gashi tha se e njeh si një njeri shumë të mirë. Por, tha se i akuzuari Xhevdet e kishte kontaktuar atë duke i thënë se të dëmtuarit po i duhen 6 mijë euro, pikërisht në ditën kur duhej ky i fundit t’ia paguante pagesën e fajdesë për borxhin që ia kishte.

Sipas Jasiqit, i akuzuari Xhevdet i ka thënë se është një person që mund t’i gjejë para me fajde, e më pas Gashi kishte shkuar në zyrë të tij. Tha se ia gjeti 6 mijë euro me 20% të fajdesë, të cilën shumë e ka paguar për fajde të tjera.

“Mua më vije keq që Idrizi është përzier në këtë punë sepse i njëjti as nuk e ka ditur çka është fajdeja sepse kur ka ardhur koha që të ndahen paratë e fajdesë dhe borxhi kryesor, i njëjti as nuk e ka ditur që t’i ndaj sa duhet me i marrë, mirëpo ato i ka ndarë Xhevdet Cacaj, Idrizit”, citohet se deklaroi i dëmtuari.

Të akuzuarit Gashi, Jasiqi thotë se ia spjegoi që paratë po i merrte borxh me fajde, e që ai i kishte thënë se Cacaj shkon e merr pagesën çdo muaj tek ai. Tha se pagoi 1 mijë e 200 euro në emë të fajdesë, ndërsa borxhin kryesor nuk e ka paguar.

Gjithnjë sipas procesverbalit, për të akuzuarin Shërbim Berisha, Jasiqi tha se kishte dëgjuar se jepte para me fajde. Më pas, nga ai tha se ka marrë para me fajde 10 mijë euro, 5 mijë euro, për të cilat shuma nuk ka mbajtur evidencë. Por, për shumën 15 mijë euro tha se ka mbajtur evidencë, e të cilën tha se e kishte marrë me fajde prej 5%, shumë për të cilën tha se pagoi 11 mijë e 250 euro. E borxh kryesor, tha se s’kishte paguar.

Edhe nga i akuzuari Isuf Thaqi tha se kishte marrë para me fajde, por që nuk e kishte lajmëruar në organet e drejtësisë, megjithatë gjatë bastisjeve, autoritetet i gjetën Jasiqit fletoret dhe evidencat se nga i njëjti ka marrë para me fajde. Me të tha se ishte barazuar, s’i kishte as borxh kryesor e as me fajde.

Ai tha se disa nga të akuzuarit i kishin bërë presion për pagesën e borxhit për paratë me fajde.

“Më kanë bërë shumë presion dhe kanë dashur edhe të më vrasin këto veprime i kanë ndërmarrë para se të hetohet ky rast nga organet e drejtësisë, ndërsa presion nuk më kanë bërë Isuf Thaqi dhe Idriz Gashi”, tha ai.

Rifat Jasiqi tha se nuk i kishte lajmëruar atëherë të akuzuarit për këto presione, pasi tentoi të gjente mirëkuptim për t’i dhënë kohë për pagesën e borxhit.

Nga të akuzuarit Kuqi, Gashi dhe Cacaj tha se kishte kërkuar t’ua paguante vetëm borxhin kryesor, por nuk kishin pranuar.

Sipas të dëmtuarit, arsyeja pse mori para me fajde ishte kredia që kishte në banka, në njërën 109 mijë e në një tjetër 30 mijë euro. Me paratë e marra borxh me fajde, tha se donte të paguante këto kredi, e që më pas ta merrte një kredi 300 mijë euro, që t’i paguante borxhet e fajdesë. Por, me paratë e marra me fajde, tha se nuk mundi të bënte asgjë, vetëm se pagoi fajde.

Në shënimet që ka në fletore, i dëmtuari tha se ka shkruar borxhin kur ka paguar pagesat me fajde, kujt i ka paguar dhe shumën. Kurse, ata nga të cilët ka marrë fajde- disa kanë nënshkruar, e disa jo.

Më pas, i akuzuari Arbër Gashi tha se nuk i ka dhënë të dëmtuarit para me fajde, por që Jasiqi lokalin në Pejë që e kishte në shitje ia la për 15 mijë euro, por se nuk ia ka kaluar në emër të tij me arsyetimin për probleme me dokumentacion.

Megjithatë, i dëmtuari e kundërshtoi duke thënë se nuk ka lokal në Pejë.

Kurse, i akuzuari Kuqi tha se të dëmtuarit i ka dhënë borxh 10 mijë euro e të cilat i kishte marrë kredi në bankë. Tha se atë shumë ia kishte dhënë vëllait të Jasiqit, e meqenëse ai nuk ia ktheu borxhin, e mori përsipër vetë i dëmtuari Jasiqi. Por, ky i fundit tha se ia kishte kthyer pagesat në emër të fajdesë, kurse borxhin kryesor jo.

Në këtë seancë munguan dëshmitarët V.K., K.R., dhe Sh.J., për të cilët nuk kishte prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Prokurori tha se heqin dorë nga dëgjimi i dëshmitares V.K., pasi nuk është relevante.

Të akuzuarit Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Shërbim Berisha, Blerim Thaqi dhe Isuf Thaqi, ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq.

Për të akuzuarin Blerim Thaqi ishte veçuar procedura penale.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 13 korrik 2018, të akuzuarit ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq.

Sipas aktakuzës, G.D., akuzohej se në vitin 2015 kishte shfrytëzuar gjendjen ekonomike të dëmtuarit Rifat Jasiq, duke kontraktuar kamatë jopropercionale në këmbim të hollave. Sipas akuzës, i pandehuri i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 90 mijë euro me kamatë prej 5% në muaj.

Ndërsa sipas dispozitivit të dytë, D., akuzohej se i kishte dhënë shumën prej 23 mijë euro me kamatë prej 10% në muaj dhe pasi i dëmtuari nuk e paguan në tërësi kamatën, i pandehuri ia shton borxhin bazë në shumë prej 27 mijë euro dhe kamatën prej 7 mijë euro.

I pandehuri Arbër Gashi akuzohet se në Deçan, në vitin 2014 dhe vitin 2015, i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro me kamatë 10% në muaj dhe shumën prej 17 mijë euro në këmbim të kamatës prej 10% në muaj.

I pandehuri Ajet Kuqi akuzohet se në vitin 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 8% në muaj.

I pandehuri Xhevdet Cacaj akuzohet se në vitin 2015, të dëmtuarit ia kishte dhënë me fajde shumën prej 5 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj, ndërsa në vitin 2016 akuzohet se i kishte dhënë përsëri të dëmtuarit shumën prej 2 mijë euro me kamatë mujore prej 10% . Ndërsa sipas dispozitivit të tretë, i njëjti akuzohet se e kishte ngarkuar të dëmtuarin me 15% kamatë mujore, për të hollat e dhëna në shumë prej 6 mijë euro në muaj.

I pandehuri Idriz Gashi akuzohet se më 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë hua me fajde në shumë prej 6 mijë euro, me kamatë prej 15% në muaj.

I pandehuri Përparim Rexhepi akuzohet se i dha të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 6%.

I pandehuri Shërbim Berisha akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 5% në muaj apo 750 euro në muaj. Tutje, i pandehuri Blerim Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 3 % në muaj.

I pandehuri Isuf Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit në periudha të ndryshme kohore shumën prej 20 mijë euro, me kamatë prej 5% në muaj. Kurse, i akuzuari Qamil Pajaziti akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro, me kamatë mujore prej 7.5%, përkatësisht nga 300 euro në muaj.

Me këto veprime, ata akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 343, paragrafi 1 dhe lidhur me nenin 81 të KPRK-së.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe L.K., mirëpo për të njëjtin kishte pushuar procedura penale për shkak se ka ndërruar jetë. Sipas aktit akuzues, ai akuzohej se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 4% në muaj, kurse pas pagesës nga i dëmtuari të kamatës në shumë prej 1 mijë e 200 euro, ai ia kishte rritur përqindjen në 5% në muaj, ku i njëjti për periudhën prej 12 muaj paguan 500 euro në muaj në emër të kamatës.