Kandiqin s’ka kush ta dekorojë - Gazeta Express
string(29) "kandiqin-ska-kush-ta-dekoroje"

OP/ED

Gazeta Express

21/04/2022 15:01

Kandiqin s’ka kush ta dekorojë

OP/ED

Gazeta Express

21/04/2022 15:01

Politikanët kosovarë, po ashtu përgjegjës të dyshuar për qindra persona të zhdukur, nuk do të merrnin kurrë mundin ta përkrahnin punën e Natasha Kandiqit, aq më pak ta shpërblenin (edhe pse ajo s’e bën këtë për kurrfarë shpërblimi). Jo vetëm ata që janë në Hagë, por as ata që janë kthyer nga atje në pamundësi dënimi 

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Disa përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve refuzuan, dje, ta dëgjonin intervenimin e Natasha Kandiqit, drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare, në takimin e organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut. 

Nuk e marr mundin që t’i gjykoj lehtësisht dhe, natyrisht, vetë Kandiqi është aq e rryer në këto punë, e matur dhe e arsyeshme, sa të mos preket aq lehtë. 

Sidoqoftë, ai refuzim në të vërtetë shëmbëllen dhe përfaqëson ndjesinë e përgjithshme absurde: gjithçka është / të gjithë janë kundër nesh.

Vite të tëra të punës shembullore të Kandiqit dhe të Fondit për të Drejtën Humanitare për mbledhjen e të dhënave për viktimat e luftës. Për gjithë ato vite pra ajo vetë është injoruar, sharë e kërcënuar në Serbi dhe po aq puna e saj është injoruar në Kosovë. S’do mend, politikanët kosovarë, po ashtu përgjegjës për qindra persona të zhdukur, nuk do të merrnin kurrë mundin ta përkrahnin punën e saj, aq më pak ta shpërblenin (edhe pse ajo s’e bën këtë për kurrfarë shpërblimi). Jo vetëm ata që janë në Hagë, por as ata që janë kthyer nga atje në pamundësi dënimi. 

Nëse për asgjë tjetër, ajo për çka jam më se i sigurt është se të dhënat e mbledhura nga Fondi për të Drejtën Humanitare janë burimi i vetëm i besueshëm ndër ne për këdo që sot vjen të hulumtojë rreth viktimave, pa dallim përkatësie etnike, të luftës në Kosovë. Dhe kjo është e mira më e madhe e Kandiqit: humanizmi nuk bën dallime. E vërteta nuk është etnike, nuk është religjioze, nuk është klasore. Dhuna ndaj një grupi të caktuar nuk është dhunë më ndryshe nga ajo ndaj një grupi tjetër. Heshtja e vuajtjes së tjetrit për ta bërë të mbisundojë vuajtja vetanake është po ashtu dhunë në mënyrën e saj. Nuk ka arsyetim ndaj asnjë dhune. Dhe nuk ka viktimë të privilegjuar.

Nuk e di nëse presidentja Osmani a kryeministri Kurti do të kenë guximin t’i japin të paktën një mirënjohje, por injorimi që i është bërë angazhimit të saj është një njollë e zezë që endet mbi sheshet tona me përmendore. Tekembramja, mua askush s’mund të ma heqë bindjen se Natasha Kandiqi i ka shërbyer Kosovës më shumë se sa, natyrisht, të dyshuarit për krime lufte, të korruptuarit, plaçkitësit dhe zhvatësit e të mirave të përbashkëta si dhe se sa të gjithë ata veteranë të rrejshëm që e varfërojnë vendin tonë për çdo muaj.