Bashkimi Evropian është para sfidës së vështirë për të gjetur pasardhësin e Miroslav Lajcak për pozitën e emisarit special për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë meqë sllovaku do ta përfundojë mandatin e tij më 31 gusht. Deri më tani, për këtë pozitë ka shfaqur hapur synimin e tij ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor. Politikani slloven më 7 maj kishte bërë të ditur se s’do të pranojë kërkesa për intervista deri në përfundimin e procesit të përzgjedhjes të emisarit për dialogun nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, për këtë pozitë tejet të rëndësishme për një proces mjaft delikat, siç është dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, është aluduar edhe për persona të tjerë të cilët kanë shfaqur interesim. Veton Surroi, pa përmendur emra, në një intervistë për KTV ka thënë se në garë për emisar të BE-së janë të përfshirë seriozisht edhe dy skandinavë, njëri prej të cilëve shërbyer edhe në Kosovë pas luftës.
Lidhur me këtë, për Gazetën Express ka folur diplomati finlandez, Kai Sauer, i cili ka shërbyer deri në vitin 2003 në UNMIK dhe më pas ka qenë këshilltar special i presidentit Marti Ahtisari (UNOSEK) përgjatë kohës së negociatave për statusin e Kosovës, negociata këto që kanë çuar në pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.
Sauer në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se emisari sllovak, Miroslav Lajcak ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe se s’do të jetë e lehtë të zgjidhet pasuesi i tij kur të vije koha.
I pyetur nëse ka shfaqur vetë Sauer interesim për një pozicion të tillë, diplomati finlandez ka thënë se përgjatë viteve ka qenë i përkushtuar ndaj rajonit dhe se ka bërë përpjekje për të përkrahur procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në funksione të ndryshme dhe potencon se kjo është ajo që planifikon ta bëjë edhe në pozicionin e tij aktual si Ambasador i Finlandës në Gjermani.
“Që nga dy detyrat e mia në OKB lidhur me Kosovën, fillimisht me UNMIK-un dhe më pas me UNOSEK-un, ndihem i përkushtuar ndaj rajonit dhe i kam ndjekur nga afër zhvillimet në dhe rreth Kosovës. Jam përpjekur të mbështes procesin e normalizimit Kosovë-Serbi në funksionet e mia të ndryshme si diplomat finlandez. Kjo është ajo që planifikoj të bëj edhe në pozicionin tim aktual si ambasador i Finlandës në Gjermani”, ka thënë Kai Sauer për Gazetën Express.
Në fund të përgjigjes për Gazetën Express, Sauer ka thënë se brenga e tij është që Ballkani Perëndimor, e në veçanti Kosova, s’janë duke e kapur trenin për në Bruksel dhe se një gjë e tillë duhet të parandalohet.
“Shqetësimi im është se Ballkani Perëndimor, dhe veçanërisht Kosova, nuk po kap trenin për në Bruksel. Kjo duhet të parandalohet dhe procesi i normalizimit është pjesë e kësaj pune”, ka përfunduar ambasadori Sauer për Express.
Sipas raportimeve në media, në Bruksel, përveç Borut Pahor, po qarkullojnë edhe dy emra të tjerë të politikanëve që mund të jenë kandidat potencial për pozitën e emisarit special. REL ka raportuar sot se bëhet fjalë për ish-ministrin e Jashtëm të Finlandës, Pekka Havisto dhe diplomatin danez, Peter Sorensen.
Ndërkohë sa i përket kandidaturës së Borut Pahor, sipas këtij raportimi, në Bruksel janë duke kërkuar një profil tjetër të politikanit që do të mund ta zëvendësonte Lajcakun në ndërmjetësimin e negociatave Kosovë-Serbi./GazetaExpress/