Kandidatura të zyrtarizuara dhe në pritje për t’u zyrtarizuar, beteja se kush do ta udhëheqë kryeqytetin në 4 vitet e ardhshme tashmë ka filluar - Gazeta Express
string(142) "kandidatura-te-zyrtarizuara-dhe-ne-pritje-per-tu-zyrtarizuar-beteja-se-kush-do-ta-udheheqe-kryeqytetin-ne-4-vitet-e-ardhshme-tashme-ka-filluar"

Lajme

Gazeta Express

19/06/2025 17:58

Kandidatura të zyrtarizuara dhe në pritje për t’u zyrtarizuar, beteja se kush do ta udhëheqë kryeqytetin në 4 vitet e ardhshme tashmë ka filluar

Lajme

Gazeta Express

19/06/2025 17:58

Më 12 tetor, qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e tyre të komunave. Nën hijen e një papërgjegjësie të implementimit të rezultatit të zgjedhjeve nacionale me mosformimin e institucioneve, paritë politike veçse kanë filluar garën zgjedhore derisa – siç ndodh zakonisht – gara për Prishtinën shihet me rëndësinë thuajse të barabartë me atë të zgjedhjeve të përgjithshme. Partitë kryesore tashmë kanë zbuluar profilet që i kanë ruajtur për kryeqytetin.

Lëvizja Vetëvendosje dje zyrtarizoi kandidaturën e Hajrulla Çekut për Prishtinën – një përzgjedhje jo fort tradicionale meqë ai vjen nga Prizreni.

Mbështetje atij brenda partisë i dhanë figurat kyçe të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë. Krah tij ishte Glauk Konjufca, për të cilin u përfol shumë se Vetëvendosje po e ruan për kryeqytetin e po ashtu edhe Arben Vitia, i cili humbi garën për Prishtinë në zgjedhjet e fundit.

Çeku gjithë karrierën e tij politike e ka të ndërtuar kryesisht në fushën e kulturës. Ai ishte zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit në qeverinë e Shqipërisë dhe së fundi për katër vjet në Qeverinë Kurti II, Çeku shërbeu si ministër i Kulturës.

Duke udhëhequr këtë dikaster, Çeku veçse i është vënë përballë për një kohë të gjatë kundërkandidatit të tij nga LDK, Përparim Rama, me të cilin Ministria e Kulturës ka një sagë të gjatë konfrontimesh e mospajtimesh rreth projekteve që Rama ka nisur në kryeqytet.

Rama, në emisionin “Pressing” në T7, ka konfirmuar se “natyrisht” do të jetë ai kandidat i LDK-së për të vazhduar “vizionin për transformim të Prishtinës”.

“Unë do të jem kandidat i LDK-së për kryetar të kryeqytetit. E kam definuar me Lumir Abdixhikun”, tha Rama.

Në deklaratën të cilën e bëri para se Çeku të zyrtarizohej si kandidat, Rama tha se kundërkandidatët e tij nuk janë profesionistë të fushës, prandaj veten e prezantoi si i vetmi që i njeh problemet e një qyteti dhe se si implementohen projektet.

“Qyteti është kompleks dhe duhet të mëndosh në mënyrë multidimensionale në zgjidhjen e problemeve të shumta, që ne jemi duke i bërë në proces e sipër. Edhe normal që transformimi i kryeqytetit – unë kam thënë edhe herën e kaluar – më duhen dy mandate që ta bëj transformimin ashtu siç e kemi vizionin”.

Nga PDK përballë tij dhe Çekut do të jetë sërish Uran Ismaili – siç kishte konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu në emisionin KallxoPërnime.

Njëjtë sikurse Vetëvendosje edhe partia e Ramush Haradinajt veproi njëjtë me kandidaturën për Prishtinën. Bekë Berisha nga Istogu do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës.

Haradinaj prishtinasve iu tha se Berisha i njeh problematikat e qytetit meqë ai jeton në Prishtinë që nga paslufta.

Në një intervistë për emisionin “Frontal” në T7, Haradinaj tha se Berisha është një politikan me përvojë dhe njohës i mirë i realitetit të kryeqytetit.

“E kemi kandiduar kolegun tonë Bekë Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës me shumë mandate, për kandidat për Prishtinë. Jeton në Prishtinë që nga paslufta, është mjaft i integruar dhe i njeh specifikat e qytetit,” deklaroi Haradinaj.

Ai e përshkroi Berishën si një person të arsimuar dhe të aftë, ndonëse sipas tij ai nuk e ekspozon gjithmonë anën e tij intelektuale.

“Beka është mjaft i ngritur, inteligjent e intelektual, por nuk e ekspozon,” shtoi kreu i AAK-së.

Një kandidate tjetër më 12 tetor do të jetë ajo e PSD-së, Besa Shahini, e cila është edhe bashkëshortja e kreut të kësaj partie, Dardan Molliqaj.

Shahini, e cila në publik u bë më e njohur me postin e saj të ministres së Arsimit në qeverinë e Edi Ramës në Shqipëri, shpalli kandidaturën e saj për kryetare të Prishtinës në fillim të këtij muaji dhe do të jetë gruaja e vetme në garë.

Në prezantimin e saj të kandidaturës, Shahini  theksoi se Prishtina është “një qytet që e do fort” duke e potencuar faktin se është e lindur në kryeqytet.

Shahini në këtë video krahas thirrjes për ta votuar, tha se “Prishtina ka marrë një kahje të gabuar në zhvillimin e vet”, ndërsa si problematikë kryesore e vuri në pah mbulimin e saj me beton e mungesën e hapësirave të gjelbra, ndërsa përmendi edhe papastërtinë e qytetit.