Jo vetëm gratë, por edhe burrat duhet të jenë të kujdesshëm ndaj kancerit të gjirit. Paralajmërimi vjen nga onkologia Ervehe Dervishi, e ftuar në Dita Jonë në A2 CNN, e cila theksoi se rastet tek meshkujt janë më të rralla, por ekzistojnë dhe duhen trajtuar me seriozitet.
“Rreth 3 përqind e tumoreve të gjirit shfaqen tek burrat. Unë kam operuar meshkuj dhe e kanë kaluar shumë mirë. Tek burrat shpesh dallohet më lehtë, pasi mund të vërehet rritja e një gjiri duke e krahasuar me tjetrin”, u shpreh Dervishi.
Ajo shtoi se kontrollet duhet të bëhen gjatë gjithë vitit, jo vetëm në muajin tetor, i njohur si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. “Jo vetëm gratë, por edhe vajzat duhet të bëjnë kontrolle të vazhdueshme. Gjatë ditës së mërkurë kam pasur një fluks të madh dhe fatmirësisht rezultatet ishin të pastra”, tha mjekja, shkruan A2 CNN.
Sipas saj, jo çdo fryrje në gjoks është tregues i tumorit, pasi mund të lidhet me humbjen në peshë ose ndryshime fizike, por çdo dyshim duhet të çojë tek ekzaminimi mjekësor.