Kanali i rrezikshëm, fëmijët po mbytën në Ibër-Lepenc a do të marrë dikush masa? - Gazeta Express
string(78) "kanali-i-rrezikshem-femijet-po-mbyten-ne-iber-lepenc-a-do-te-marre-dikush-masa"

Lajme

Gazeta Express

24/05/2023 15:08

Kanali i rrezikshëm, fëmijët po mbytën në Ibër-Lepenc a do të marrë dikush masa?

Lajme

Gazeta Express

24/05/2023 15:08

Tragjedia u bë edhe më e dhimbshme kur dje në Ibër-Lepenc u gjet trupi i pajetë i një i 4-vjeçari, sepse edhe në maj të vitit të kaluar kishte humbur jetën një tjetër fëmijë 9-vjeçar. Kanali i Ibër-Lepencit ndër vite ka marrë jetëra njerëzish, prandaj kërkohet që të gjendet ndonjë zgjidhje në mënyrë që të rritet siguria përreth.

Daja i 4-vjeçarit u tha mediave se nipi i tij ka rrëshqitur në kanal, teksa apelon nga autoritetet që të bëhet “një lloj mbrojtje në kanal”, sepse shprehet se në të ardhmen mund të ketë sërish vdekje.

Lexo Edhe:

“E kanë marrë lopën së bashku me një nip të vetin, djalin e hallës. Ka dalë me një nip të vetin, edhe djali u afru aty, ka rrëshqit edhe ka ra…Kisha apelu me qit ndonjë lloj mbrojtje te kanali. Unë jam daja i djalit. Motra nuk është mirë, po mundohemi me qetësu”, u shpreh ai në një paraqitje para mediave.

Një vit më parë, në Ibër-Lepenc, u mbyt edhe një fëmijë 9-vjeç.

Axha i 9-vjeçarit kishte deklaruar se fëmija kishte dalë për të luajtur.

“Ka qenë më fëmija tu lu dhe ata thonë që u ra në ujë. Nuk është koha për mu la dhe na dyshojmë që tjetër është se s’ka mund dje më hy mu la pasi u kanë tu ra shi. Neve na ka ardhë lajmi si ka vdekur nga Polica e Kosovës”, kishte deklaruar axha i të miturit

Kanali ku ishte gjetur trupi i 9 vjeçarit gjendet disa kilometra larg shtëpisë së familjes Deliu në Vaganicë të Mitrovicës.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në një lidhje direkte për “Frontal” në T7 është shprehur i tronditur nga vdekja e 4-vjeçarit.

Gjithashtu paralajmëroi se do ta ngris në nivel komunal mënyrën e “sigurimit të kanalit”.

“Kanali i Ibër Lepencit ka ditur shpesh të marrë jetëra të banorëve të Vushtrrisë, fëmijëve”, tha ai, duke thënë se do ta ngris në nivel komunal “mënyrën e sigurimit të kanalit”.

“Është një moment i rëndë jo vetëm për familjen”, tha kryetari i Vushtrrisë të martën për “Frontal”.

Lidhur me kërkesat për rritjen e sigurisë, Gazeta Express ka telefonuar disa herë kryeshefin ekzekutiv të  Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, por i njëjti nuk është përgjigjur.

As Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje për numrin e viktimave që janë shënuar në Ibër-Lepenc gjatë tri viteve të fundit.

Forca e Sigurisë së Kosovës njoftoi të martën se ka arritur ta gjejë pa shenja jetë trupin e fëmijës katërvjeçar i cili kishte rënë në kanalin e Ibër-Lepencit në Mitrovicë.

Fëmija ishte i raportuar i zhdukur, ndërsa trupat e FSK-së kanë dalë në vend ngjarje për ta gjetur të miturin.

Policia konfirmoi se fëmija u gjet në fshatin Bukosh. /Gazeta Express