Kanadaja kërkon që kutitë e zeza të aeroplanit të rrëzuar të dërgohen në Francë


Gazeta Express
18 Janar 2020 10:10

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, kërkoi nga Irani që t’i dërgojë në Francë kutitë e zeza të aeroplanit të rrëzuar nga forcat e këtij shteti dhe shtoi se trupat e viktimave duhet të kthehen së shpejti në atdheun e tyre.

Trudeau tha gjatë një konference për gazetarë se Franca është njëra prej shteteve të pakta që mund t’i analizojë të dhënat e këtyre kutive, të cilat, sipas tij, janë shumë të dëmtuara.

“Irani nuk i ka nivelin e ekspertizës dhe shumicën e pajisjeve të nevojshme për t’i analizuar shpejt këto kuti”, tha Trudeau.

“Ekziston një konsensus që Franca do të ishte vendi i duhur për t’i dërguar kutitë e zeza në mënyrë që të merren shpejt informatat e duhura nga to dhe për këtë i inkurajojmë autoritetet e Iranit”, shtoi ai.

Sipas një ankete, më shumë se dy të tretat e kanadezëve nuk besojnë që do të ketë hetim të plotë dhe të duhur për këtë tragjedi.

Çështja e hetimeve dhe e kthimit të trupave po vështirësohet edhe për shkak të raporteve jo të mira mes dy vendeve.

Kanadaja dhe Irani nuk kanë marrëdhënie diplomatike që nga viti 2012, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart