Kamboxhia dhe Tajlanda kanë rënë dakord për marrëveshje të “menjëhershme dhe pa kushte të armëpushimit”, pas bisedimeve për paqen të zhvilluara në Malajzi.
Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, ka deklaruar se armëpushimi do të hyjë në fuqi nga mesnata me orën lokale, tek ka shtuar se “ky është hapi i parë jetik drejt uljes së tensioneve dhe rivendosjes së paqes dhe sigurisë”.
E kryeministri tajlandez, Phumtham Wechayachai, ka bërë të ditur se marrëveshja është negociuar në “mirëbesim” dhe se Tajlanda është e përkushtuar në rrugën drejt paqes, raporton BBC.
Liderët e të dyja vendeve falënderuan presidentin amerikan, Donald Trump, dhe Qeverinë e Kinës gjatë konferencës së shkurtër për media.
Trumpi iu pati kërkuar të dyja vendeve aziatike që të bien dakord për ndërprerjen e luftimeve si parakusht për t’i vazhduar bisedimet e tyre tregtare me Washingtonin zyrtar.
Kina, e cila ka marrëdhënie strategjike si me Tajlandën njashtu dhe me Kamboxhian, kishte dërguar përfaqësues për të kontribuar me lehtësimin dhe përshpejtimin e procesit.
Të paktën 33 persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë zhvendosur qëkur luftimet nisën disa ditë më parë.
Mosmarrëveshjet mes dy vendeve datojnë mbi një shekull më parë, pasi që kufijtë e tyre u përcaktuan pas pushtimit francez të Kamboxhias.