Shaip Kamberi, përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, njoftoi të mërkurën se e ka dorëzuar një kërkesë për themelimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për t’i hetuar rastet e vdekjes së ushtarëve shqiptarë në ushtrinë e atëhershme jugosllave gjatë viteve ’80.
Kamberi e bëri këtë kërkesë kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, në një kohë kur Serbia po përgatitet për ta rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vend.
Në kërkesë, Kamberi thekson se në Luginën e Preshevës ekziston shqetësim për thirrjen e mundshme të të rinjve shqiptarë për ta kryer shërbimin ushtarak, “pasi e kaluara dhe pasojat e saj ende ndikojnë në vetëdijen kolektive të shqiptarëve”.
Në një njoftim në llogarinë e vet në Facebook, Kamberi kërkoi zbardhjen e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve ’80.
“Shumë nga këto raste, të regjistruara si ‘vetëvrasje’, ‘aksidente’ apo ‘shkelje disiplinore’, u konsideruan të dyshimta nga familjet e viktimave, të cilat shpesh raportuan shenja dhune mbi trupat e kthyer”, tha Kamberi.
Ai tha se mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës për ato vrasje e ka forcuar bindjen e tyre se “kemi të bëjmë me vrasje me motive etnike dhe politike, në një periudhë kur shqiptarët në APJ përballeshin me diskriminim, stigmatizim dhe armiqësi të hapur”.
“Ky fenomen ka mbetur i heshtur e i padokumentuar në diskursin publik në Serbi, duke reflektuar një mungesë serioze të përballjes me të kaluarën dhe të diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve”, theksoi ai.
Kamberi theksoi se, komisioni, nëse miratohet, do të përfshinte edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komunitetit shqiptar.
Kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi
Sipas Kamberit, kthimi i shërbimit të detyrueshëm ngjallë shqetësim te shqiptarët në Luginë të Preshevës për shkak të “përvojave të dhimbshme historike në trajtimin diskriminues dhe tragjeditë e pësuara në të kaluarën nga të rinjtë shqiptarë që ishin në shërbim në APJ”.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.
Shqiptarët në Luginën e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – ankohen vazhdimisht për diskriminim.
Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.
Autoritetet serbe e nisën punën për kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak vitin e kaluar.
Verën e kaluar, Qeverisë serbe tha se, shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili është hequr më 1 janar të vitit 2011, do të rikthehej në vitin 2025.
Këtë javë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq vendi nuk ka hequr dorë nga kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por shtoi se po kryhen përgatitje intensive.
Sipas tij, janë investuar mjete të konsiderueshme për të rregulluar kazermat dhe për të blerë pajisje.
Ai shtoi se hapi tjetër do të jetë “përshtatja e fushës ligjore me atë që dëshirojmë, 75 ditë shërbim ushtarak” dhe duket që Kuvendi i Serbisë të miratojë ligj për këtë çështje. /REL/